“Na shikoi në fytyrë dhe filloi të qeshë” – Pjesëtari i FSK-së rrëfen shpëtimin e 2-vjeçares

“Kemi arritur të identifikojmë zëra, të cilët kanë ardhur nga thellësia, brenda. Në fillim, nuk ka qenë e qartë se nga po vijnë. Me mjetet tona që i kemi, ne kemi arritur saktë ta identifikojmë vendndodhjen”.

“Kur janë afruar [ekipet], fillimisht kanë arritur ta prekin nënën e fëmijës, e ka pasur fëmijën në dorë ashtu siç e kanë zënë gërmadhat. Kemi marrë kërkesë nga nëna që ta shpëtojmë fëmijën. Na tha ‘Ju lutem, nxirreni vetëm fëmijën, vetëm fëmijën nxirreni'”.

Kështu rrëfen për Radion Evropa e Lirë përvojën e shpëtimit të një vajze 2-vjeçare në Hataj të Turqisë, më 8 shkurt, Egzon Syla, komandant i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim, i angazhuar në Turqi, pas tërmetit që e ka goditur këtë vend më 6 shkurt.

Momenti më i vështirë thotë se ishte dëgjimi i zërave dhe thirrjeve për ndihmë, ndërkohë që depërtimi i menjëhershëm nën rrënoja ishte i pamundur.

“E di se dikush po pret ndihmën tënde dhe ti nuk mund të shkosh për ta tërhequr dhe nuk mund të shkosh menjëherë”.

“Sigurisht, momenti më i lumtur për të gjithë pjesëtarët [e shpëtimit] këtu ka qenë kur ka dalë fëmija i gjallë, kur, nëse nuk gaboj, ndoshta kemi bërë deri në 10 orë kërkim. Siç e keni parë, [fëmija ka qenë] i mbështjellë me uniformë të FSK-së, i ka shikuar pjesëtarët tanë në fytyrë dhe ka filluar të qeshë. Kjo ka qenë diçka e papërshkrueshme”, thotë Syla, 31 vjeç.

Pas vajzës, ekipi i FSK-së e ka shpëtuar edhe nënën e saj, ndërsa babai dhe vëllai nuk i kanë mbijetuar tërmetit, i cili ka lënë të vdekur më shumë se 21 mijë njerëz në Turqi dhe Siri.

Kontingjenti i FSK-së, i cili përbëhet nga specialistët e kërkim-shpëtimit urban, personel mjekësor ushtarak dhe qen të kërkim-shpëtimit, është nisur drejt Turqisë mbrëmjen e 6 shkurtit.

Aktualisht, ky kontingjent është i stacionuar në Hataj – njërin nga rajonet më të prekura nga tërmeti.

“Qyteti është i shkatërruar plotësisht, është një katastrofë. Ne e kemi shumë të vështirë edhe komunikimin me udhëheqësit tanë në Kosovë, sepse nuk ka as internet e as valë telefoni. Është shkatërruar gjithçka. Nuk ka asnjë ndërtesë të banueshme, ose janë rrëzuar komplet, ose dëmtuar shumë”.

“Rrugët janë të bllokuara nga rrëzimi i banesave, njerëzit janë duke fjetur në rrugë, janë duke ndezur zjarr dhe duke qëndruar aty. Në trotuare ka shtretër që kanë arritur t’i nxjerrin nga banesat që nuk janë rrënuar komplet. I kanë vendosur rrugëve dhe janë duke qëndruar aty”, rrëfen Syla.

“Ata nuk kanë dashur të largohen, me sa kuptova, se janë duke pritur ende për të afërmit e tyre që të nxirren nga gërmadhat”, thotë komandanti i kontingjentit të FSK-së për kërkim-shpëtim.

Edhe pse ka rrezik nga futja nën gërmadha, Syla thotë se në mesin e ekipit të FSK-së ka vullnet dhe gatishmëri jashtëzakonisht të madhe për të ofruar ndihmë.

“Nuk e di se si ta përshkruaj. Ka një vullnet të madh, diçka që mua më ka impresionuar për të mirë, pasi është hera e parë për mua që marr pjesë në këso lloje operacionesh. Ka vullnet, ka dëshirë për punë, trimëria e tyre e të tjera gjëra mua më kanë impresionuar”, shprehet Syla.

Më 9 shkurt, kontingjenti i FSK-së ka arritur të nxjerrë vetëm trupa të pajetë nga rrënojat.

Syla thotë se ata do ta vazhdojnë punën, varësisht rrethanave dhe kërkesave.

Edhe pse ekspertët thonë se njerëzit mund të mbijetojnë për një javë ose më shumë, shanset për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja janë duke u zbehur, marrë parasysh edhe temperaturat e ulëta në rajonin e shkatërruar.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika