Gjatë ditës së hënë të 25 korrikut, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim përfaqësues të grupit të fëmijëve, Respect Our Right (RoR) dhe organizatës Kosovar Youth Council (KYC).
Për Nagavcin, nevojat e fëmijëve dhe të rinjëve të vendit tonë në arsim, nuk mund t’i artikulojë askush më mirë se vetë të rinjtë.
“I dëgjova me vëmendje kërkesat e tyre që kishin të bëjnë me mirëqenien dhe ofrimin e arsimit cilësor për ta dhe të gjithë nxënësit e Kosovës, ndërsa biseduam edhe për punën që na pret për të zbutur dëmet e shkaktuara nga pandemia në procesin e mësimnxënies,” ka shkruar Nagavci.
Nagavci ka bërë të ditura edhe disa nga kërkesat e tyre, ku vlerësimi i përformancës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, siguria në shkolla, gjithëpërfshirja dhe përkrahja financiare për nxënësit e sukseshëm dhe për ata me nevoja të veçanta, njohja e punës vullnetare në arsimin e lartë, rritja e numrit të inspektorëve dhe pedagogëve e psikologëve në shkolla, kanë qenë disa nga to.
Ministrja është shprehur tejet e gëzuar për kërkesat e nxënësve.
“Jam e kënaqur që kemi avokues të tillë për të drejtat e nxënësve, e po ashtu për faktin se për shumë nga këto kërkesa tashmë po punohet në MAShTI me përkushtimin më të madh,” është shprehur ajo.
Ndërkaq, Nagavci ka shkruar se do të jenë të gatshëm që të bashkëpunojnë më organizata si RoR dhe KYC, në mënyrë ta ngrisin cilësinë në arsim dhe të avancojnë të drejtat e garantuara të fëmijëve.