Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për librat, janë përplasur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Hoxha fillimisht në fjalën e tij tha se fjalimi i ministres Nagavci ishte përtej notës së saj mesatare, për çka më pas ka reaguar Nagavci, madje ai i ka thënë asaj se mund ta notojë vetëm me “notën 7”.
“Unë e dëgjova me vëmendje ministren Nagavci. Mendoj që e ka mbajtur fjalimin përtej mesatares së saj 6.4. Se u mor shumë me këtë pjesën e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe nuk dihet se kush ishte ai kolegu i imi i Universitetit të Prishtinës që ka gabuar dhe ja ka qitur nja dy tri 7-she, se krejt tjerat i ka 6-qe. Dhe fjalimi ke përtej kësaj, por me keqardhje po them që nuk po shoh vizion për këtë temë. Nuk pashë unë se çfarë dëshiron zonja ministre dhe kjo qeveri në çështjen e teksteve shkollore falas. Unë kam pritur që në këtë vit shkollor do ta bëni një kthesë jo për mënyrën se si blihen librat”, ka thënë Hoxhaj.
Menjëherë pas Hoxhës për replikë Nagavci deklaroi se Hoxhaj nuk ka kredibilitet për të folur dhe nuk mund ta akuzojë për korrupsion e keqpërdorime.
Gjatë debatit parlamentar për tekstet shkollore të këtij viti, Nagavci i tha Hoxhajt se i njëjti kishte caktuar asistenten e tij si ambasadore.
“Ju në pozitën zyrtare kur keni qenë, asistenten tuaj e keni caktuar ambasadore. Kjo ju tregon se s’keni aspak kredibilitet për të folur për mua. Nuk mund të intimidoni as ju dhe askush. Studimet e mia që ju i referoheni kanë ndodhur në kohën kur unë kam vendosur t’i mbaj me forcat e mia dhe ashtu siç unë kam pasur dëshirë, krahas punës së vazhdueshme që e kam bërë dhe kujdesit për familjen time. Sot dhe asnjëherë ju dhe askush tjetër nuk mundeni të më akuzoni mua për korrupsion dhe as për keqpërdorime”, është shprehur Nagavci.
Polemika në mes tyre ka vazhduar edhe më tej, kur deputeti i PDK-së, Hoxhaj ka përmendur 17 milionëshin për tekstet shkollore të vitit të kaluar. Po ashtu, ai tha se fajtor pse Kosova nuk ka strategji për digjitalizëm, është pikërishtë ministrja Nagavci.
“Nëse flasim për keqpërdorime, duhet të ndalim te 17 milionëshi i vitit të kaluar. Së dyti, unë e kam pasur një besim që zonja ministre mund të bëjë diçka në fushën e arsimit derisa e kam parë aty zotëri Pupovcin, por në momentin kur zotëri Pupovci si zëvendësministër e ka lëshuar atë ministri, unë e di që ajo ministri më është pa busullë. Nuk kisha pasur fare problem që zotëri Gola të ishte në atë ministri, por këtë kolege nuk e marr seriozisht dhe nuk e kam ndërmend ta marr asnjëherë seriozisht. Pritjet e mia janë zero. Së treti, kjo është përgjegjëse kryesore pse Kosova nuk ka strategji për digjitalizëm, se vetë personalisht e ka penguar digjitalizimin. Ndërsa, për analizën e kurrikulës kur flet, për ta është fizikë bërthamore, s’merr vesh”, ka thënë Hoxhaj.
Tutje, Nagavci sërish e ka pyetur Hoxhajn nëse e ka bërë ambasadore asistenten e tij. Gjatë deklarimit të saj, deputeti i PDK-së ka qëndruar pranë foltores duke qeshur me cinizëm, por që nga kryesuesja e seancës nuk iu dha fjala që të vazhdojë polemikën me ministren Nagavci.