Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MASHTI), Arbërie Nagavci, ka deklaruar se prindërit e nxënësve do të duhej të njoftoheshin me kohë për blerjen e librave shkollorë të këtij viti.
Siç raporton Koha, Nagavci ka theksuar se një vendim i tillë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ishte i menduar.
“Vendimi nuk ka qenë i pamenduar, i paanalizuar dhe është marrë në një moment që është konsideruar si i domosdoshëm. Doja të përmend ndonëse ka ngjallur debat, është një nga disa veprime që kemi marrë në raport me përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore. Do të ishte më mirë që prindërit të ishin njoftuar më herët”, ka thënë Nagavci.
Sipas saj, ky vendim vije si një mënyrë e ngritjes së transparencës dhe kujdesit rreth menaxhimit të buxhetit shtetëror.
“Në vitet e kaluara është abuzuar me shpërndarjen e librave. Këto dy vjet qeverisje, kemi parë edhe raste të ndryshme të gabimeve dhe të abuzimeve. Nuk mund të përgjithësojë të gjitha rastet. Ka qenë shpërndarja e një pakoje për fëmijët parafillorë. Vlera e pakos ka qenë 19.20 euro, i ka kushtuar buxhetit 500 mijë euro në vit. Dhe ka pasur raportime se këto pako nuk janë përdorur fare. Po i referohem një emaili të vitit 2020. Këto pako nuk i kemi shpërndarë në dy vjetët e qeverisë sonë”, ka thënë Nagavci.
Nagavci e vlerësoi si “të mangët” projektligjin për tekste shkollore gjersa theksoi se mangësitë e tij do të trajtohen.
Krahas kësaj, Nagavci theksoi se vitin e kaluar u shpenzuan 16 milionë e 490 mijë euro për tekstet shkollore si rrjedhojë e pëkthimeve të teksteve.
Në “Konfront” të KTV-së, Nagavci ka folur edhe për vetingun në arsim, veprim ky i cili sipas saj do të marrë kohë ngase nga i njëjti, nuk duan vetëm ndryshime sipërfaqësore.
Propozimi i Ministrisë që tekstet shkollore të mos shpërndahen sikurse viteve të kaluara, por paratë të kalohen në llogari prindërve e më pas ata t’i blejnë vetë, ka nxitur kritika të shumta.