Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas rastit të ndodhur në Pejë, duke thënë se institucionet arsimore kanë një rol kyç për krijimin e gjeneratave me vlera njerëzore.
Madje, Nagavci ka ftuar mësimdhënësit, prindërit, shoqërinë civile, mediat dhe gjithë qytetarët që të punojnë së bashku me institucionet, për të edukuar gjeneratat e reja dhe për të ngritur vetëdijen shoqërore për respektimin dhe kujdesin, sidomos ndaj kategorive më të ndjeshme.
Lidhur me keqtrajtimin e ndodhur sot në Shtëpinë e pleqve, Nagavci ka thënë se dhuna në çfarëdo forme është e papranueshme si dhe prej kujtdo që ushtrohet, veçanërisht në raste sikur ky i fundit.
“Dhuna, në çfarëdo forme është e papranueshme, është akt i lig, i shëmtuar dhe i dënushëm, prej kujtdo që ushtrohet, sidomos kur bëhet fjalë për kategori të ndjeshme”, ka shkruar Nagavci.
Vlen të theksohet, se Nagavci ka thënë se të gjithë së bashku duhet të kujdesemi për të moshuarit, sepse sipas saj, ata janë prindërit tanë.
“Të gjithë bashkë të kujdesemi për një kulturë ku respektohen vlerat, për kujdes të veçantë ndaj kategorive të ndjeshme, e sidomos për të moshuarit, sepse ata janë prindërit tanë. Vetëm kështu bota dhe liria do të jetë më e mirë për të gjithë e shumë më e bukur për secilin”, ka përfunduar Nagavci.