Nagavci kërkon nga SBASHK-u që të reflektojë: S’ka kurrfarë arsye për të mbajtur grevë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sërish i ka bërë thirrje SBASHK-ut për reflektim ndaj situatës së krijuar në vend, për shkak të grevave

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga kryesia e SBASHK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar në arsim.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Nagavci ka theksuar se greva në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem.

Kjo sipas saj, ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.

“Si Ministre, punonjëse e arsimit dhe qytetare e këtij vendi kërkoj nga kryesia e SBAShK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar, dhe bashkë me përfaqësuesit e degëve komunale, ta ftojë anëtarësinë e vet për t’iu kthyer punës, në mënyrë që të krijojmë atmosferë për vazhdimin e dialogut konstruktiv që është parakusht për zgjidhjen e problemeve komplekse në sektorin e arsimit”, ka shkruar ajo.

Paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për moszëvendësimin e orëve të humbura, siç thotë ministrja Nagavci “vetëm sa e ndërlikojnë situatën”.

“Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MAShTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit”, shtoi ajo.

Ndërkaq, teksa ka përmendur se ky vit shkollor është i treti radhazi që java e dytë e shtatorit nuk i gjen nxënësit në shkollë.

Ajo ka potencuar se në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore.

“Këtë vit vonesa po ndodh për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK dhe SBAShK”, shkroi Nagavci.

Po ashtu, ministrja e këtij dikasteri ka shtuar se arsimi, në radhë të parë, është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë.

Ndryshe, më nëntë shtator, Nagavci ka pritur në takim përfaqësues të SBAShK-ut, për të biseduar lidhur me grevën në arsim, por që nuk kanë arritur të bëjnë një marrëveshje në mënyrë që mësimi të fillojë të hënën.

Por, ministrja Nagavci ka bërë kërkesë që procesi mësimor të fillojë nga e hëna, derisa dialogu në mes Ministrisë së Arsimit dhe SBAShK-ut do të vazhdojë.

Edhe pse greva është shpallur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), për 84 mijë zyrtarë publikë, Nagavci ka thënë se pjesa më e madhe e punëtorëve janë në vendet e tyre të punës, ndërsa ata që po pësojnë nga greva janë rreth 320 mijë nxënës, të cilët kanë mbetur jashtë bankave shkollore.

Ajo i ka informuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit, si dhe veprimet që i ka ndërmarrë MAShTI sa i përket përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve.

Ndërsa, përfaqësues të Sindikatës kanë bërë të ditur edhe një herë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme. Sipas tyre, duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre për 100 euro.

Nagavci ka deklaruar se MAShTI është për dialog, dhe që sipas saj, Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshjeje duke mos përdorur masa ekstreme.

Ndërkaq, ajo ka shtuar se diskutimet me SBAShK-un do të vazhdojnë sikur deri më tani. Ajo ka bërë thirrje edhe një herë, se nga e hëna të gjithë mësimdhënësit të jenë në shkolla dhe të fillojë procesi i rregullt mësimor.

S’ka marrëveshje në takimin e Nagavcit me SBAShK-un për ndërprerjen e grevës

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika