Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se kanë hapur thirrjen për përfitimin e bursave për 100 studentë nga radhët e komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Rom.
Nagavci ka thënë se marrëveshja që kanë nënshkruar me ministrin e MAPL-së Elbert Krasniqi, “synonte thirrjen për Fakultetin e Edukimit, mirëpo për arsyje të numrit të ulët të aplikuesve, tashmë thirrja është për të gjitha drejtimet në të gjitha universitetet publike”.
“Qeveria jonë është e përkushtuar që përmes bursave dhe mekanizmave të tjerë të fuqizojë gjeneratat e reja të edukatorëve dhe mësimdhënësve nga radhët e komuniteteve”, ka shkruar Nagavci.
Mes tjerash, ministrja Nagavci ka potencuar se konkursi do të jetë i hapur 15 ditë, nga data 18 nëntor deri më dy dhjetor në ora 16:00.
Tutje Nagavci ka shkruar se shuma maksimale e bursës do të jetë deri në një mijë për studentët përfitues. Ministrja e Arsimit tregoi që aplikimi bëhet përmes platformës E-Kosova.