Pas kritikave të shumta për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, më në fund ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila edhe ishte akuzuar për ndërhyrje në këtë proces.
Por, të shtunën ajo nuk ka folur rreth shkarkimit të Sahitit, por për procesin e zgjedhjes së pasuesist të tij.
Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit ka thënë se “Jam e vendosur që të mos ndërhyjë dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje tjetër, në asnjë dimension të procesit të zgjedhjes së rektores apo rektorit të ri. Me Qeverinë tonë, Rektoren/Rektorin do e zgjedh merita e saj/tij, të cilën e konfirmojnë rezultatet e monitorimit dhe zgjedhja do të jetë plotësisht e denjë për misionin e sotshëm dhe historinë që bart ky institucion”.
Por, ish-senatori i Rektoratit, Arbër Gecaj nuk pret që kjo do të ndodhë. Ai është shprehur se “Një Këshill Drejtues i cili ka plagjiator në mesin e saj, ka militant partiak dhe është zgjedhur në formë skandaloze me ndërhyrje të Policisë së Kosovës nuk mund të sjellë një rektor të mirë dhe të drejtë për Universitetin e Prishtinës”.
Ministrja Nagavci ka premtuar premton që anëtarët e MAShT-it në Këshillin Drejtues të UP-së do të jenë të pandikueshëm, profesionist, transparent.
Mirëpo, sipas Gecajt, kushdo që vihet në pozitën e rektorit nuk mund të jetë i lirë nga politika.
“Cilido rektor që vjen në për mes këtij këshilli drejtues e ka të pamundur të jetë I lirë dhe i pa ndikuar sidomos kur e dimë që ky Këshill Drejtues është i kordinum prej Ministrisë së Arsimit”.
Për ta rritur transparencën, Nagavci thotë se ka ftuar ambasadorët e QUINT-it dhe atë të BE-së që të bëhen pjesë e monitorimit të procesit të zgjedhjes së rektorit apo rektores së re.
Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur deri më 7 nëntor.