Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se do të ketë ekzekutim të pagave vetëm për punëtorët e arsimit të cilët nuk kanë qenë në grevë.
“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci.
Nagavci ka thënë se në takimet me Sindikatën e Arsimit, kanë diskutuar në lidhje me kompensimin e pagave nga vetë sindikata, por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Sipas saj, ligji e ndalon kompensimin për punëtorët që kanë qenë pjesë e grevës.
“Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodh në shumicën e vendeve të tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer”, ka thënë ajo.
“Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”, ka vijuar ajo.
E para e arsimit ka bërë të ditur se me kërkesë të ministrit të Financave, Hekuran Murati, Ministria e Arsimit i ka dërguar të dhënat e tyre për punëtorët e arsimit që nuk kanë qenë pjesë e grevës, për t’ua proceduar pagat.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, të hënën, ka bërë të ditur për Rtv Dukagjinin se pagat për punëtorët e sektorit publik, për muajin shtator, janë ekzekutuar vetëm për ata që nuk kanë qenë pjesë e grevës.
Kryeziu ka thënë se çështja e pagave të grevsitëve përcaktohet me ligjin për greva.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë ai.
Diferencime sa i përket procesimit të pagave, ka pasur edhe në sektorët e tjerë. Shërbyesve civilë u ka dalë paga edhe pse ishin pjesë e grevës, kurse mësimdhënësve jo.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është shprehur i indinjuar me këtë vendim të qeverisë, të cilin e ka quajtur diskriminues e hakmarrës.
“Fatkeqësisht, ende nuk janë procesuar në sistemin arsimor, teksa e keqja shtohet se janë procesuar për shërbyesit civilë që ishin në grevë dhe kjo është një segregacion, nuk ka çfarë të dyshohet për tjetër, përveç ndonjë qëllimi që vetëm qeveria e di”, ka thënë ai.
Tutje, Jasharaj ka paralajmëruar “situatë të acaruar”, nëse nuk procesohen pagat deri më 5 tetor të këtij viti.
“Uroj që deri në kufirin ligjor më 5 tetor, Qeveria të mos e bëjë edhe këtë goditje, por t’i procesojë pagat, përndryshe do të kemi situatë të acaruar. Edhe mediat e kanë parë se edhe kur u bë pezullimi i grevës, votat pro dhe kundër ishin kogja të përafërta. Nuk është e drejtë të shkelen ligjet dhe të shkelet humaniteti. Nëse bëhet kjo goditje, atëherë s’kemi si të mos besojmë se Qeveria i do grevat dhe përplasjet”, ka thënë ai.
Afati ligjor për ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit publik është më së largu data pesë tetor e këtij viti.