Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë fjalimit të saj në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, ku është diskutuar për grevën në arsim, ka thënë se Qeveria i ka përmbushur mbi 90 për qind të kërkesave të SBASHK-ut.
Sindikalistët e arsimit kanë thënë se nuk do të heqin dorë, derisa të plotësohen kërkesat e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit. Kjo, deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për Pagat.
Por, Nagavci ka theksuar se Projektligji për Paga tashmë është në dëgjim publik.
“Projektligji është në dëgjim publik dhe nuk e di se ju deputetë a e keni lexuar për të parë se si i kemi trajtuar mësimdhënësit. Kemi përmbushur mbi 90 për qind të kërkesave të SBASHK-ut, por ata e kanë çdoherë vetëm një kërkesë, thonë ‘lëvizni edhe pak’. Pra, kjo nënkupton që ato 50 eurot që i kemi ndarë thonë rritni edhe pak, 10 euro, 15 apo 20. Nuk mendoj se kjo i bën nder as dinjitetit të mësimdhënësve, as neve si Qeveri e as sindikatës”, është shprehur Nagavci.
Ajo ka kërkuar nga sindikata që të vazhdojnë dialogun social dhe mësimdhënësit t’i kthehen procesit mësimor.
“Nga ana jonë ka qenë një kërkesë e vetme; mos i mbani peng fëmijët. Pra, vazhdojmë dialogun social, por mos i mbyllni shkollat”.
Po ashtu, Nagavci ka shtuar se dialogu social midis dy palëve nuk ka munguar asnjëherë.
Çka parasheh Projektligji për Pagat?
Ndryshe, Projektligji për Pagat në sektorin publik, të enjten e 15 shtatorit ka dalë në konsultim publik, teksa edhe janë bërë publike koeficientet.
Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.
Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.
Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës për kategoritë të cilat i rregullon.
Ky projektligj përjashton mundësitë që mënyra dhe kushtet për pagë dhe shpërblime të rregullohen me akte të tjera normative, përveç kur parashihet dhe autorizohet shprehimisht me këtë projektligj.
Fillimisht, Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup punues i cili ka analizuar të gjitha mangësitë dhe anomalitë e ligjit të shfuqizuar, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka ofruar shembuj të praktikave të mira të cilat do të mund të shërbenin në hartim të këtij ligji.
Më pas, është themeluar grupi punues i projektligjit për paga, i cili ka bërë punën substanciale në ligj.
Përgjatë hartimit të Projektligjit janë ftuar dhe konsultuar të gjitha institucionet e administratës publike.
Një koeficient ka vlerën e 120 eurove, e cila për t’u llogaritur paga, duhet të shumëzohet vlera e koeficientit me vlerën që do t’i caktohet atij.