Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të hënën e ka takuar homologen e saj nga Izraeli, Yifat Shasha-Biton, me të cilën, ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e arsimit.
Përmes një njoftimi, Nagavci ka bërë të ditur se temë kryesore e këtij takimi ka qenë bashkëpunimi në mes të universiteteve nga Kosova dhe Izraeli.
“Temë kryesore e këtij takimi ishte bashkëpunimi mes universiteteve nga Kosova dhe Izraeli, me ç’rast u pajtuam që të kemi veprime konkrete në lidhje me këtë”, ka shkruar Nagavci.
Ministrja Nagavci ka kërkuar nga Qeveria e Izraelit mbështetje për siguri në shkolla.
“Po ashtu, kërkova mbështetje nga qeveria izraelite për sigurinë në shkolla, përfshirë mbrojtjen e të dhënave të shkollave, sigurinë e fëmijëve në internet, si dhe dërgimin e ekspertëve të cilët do të ndihmojnë shkollat në Kosovë, në aspektin e rritjes së sigurisë në përdorimin e internetit”, ka thënë Nagavci,
Nagavci, po ashtu, bëri të ditur se do t’i shikojë mundësitë e dërgimit të nxënësve nga Kosova për në Izrael.
“Duke rikujtuar vizitën e nxënësve nga Izraeli në Kosovë, theksova se do të shikohen mundësitë e dërgimit të nxënësve nga Kosova në Izrael, me qëllim të përfitimit të dyanshëm në aspektin kulturor e edukativ”, ka shkruar Nagavci.
“Aktualisht janë 4 nxënës që studiojnë në shkollat e mesme – Givat Haviva dhe EMIS, andaj theksova se jemi të interesuar të kemi prezencë më të madhe të studentëve tanë që studiojnë në Izrael”, ka vijuar ajo.
Ministrja e Arsimit në Izrael, Yifat Shasha-Biton, u shpreh se e mirëpret hapjen e rrugës së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit në Kosovë, me shpresën se do të ketë veprimeve konkrete në këtë drejtim.