Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka krahasuar grevat e viteve të kaluara të sektorit të arsimit me këtë të tanishmen.
Ajo ka thënë se në të kaluarën, grevat janë ndërprerë shumë më lehtë, dhe kërkesat në të kaluarën kanë qenë më të pakta sesa këto që po i ofron aktualisht Qeveria e Kosovës.
Ajo e ka përmendur vitin 2005, ku sipas saj, greva është ndërprerë vetëm pse u është premtuar mësimdhënësve rritja e pagës prej shtatë eurosh.
“Në vitin 2005, greva zgjati katër javë, u ndërpre greva me një rritje prej 7 eurosh. Në vitin 2018, ishte qeveria PAN, u paralajmëru greva dhe u anulu, me faktin se u procedua në kuvend projektligji për statutin për punëtorët e arsimit të viteve 99”, ka thënë ajo.
Sipas Nagavcit, në të kaluarën greva është ndërprerë për faktin se ishte proceduar në Kuvendin e Kosovës, Ligji për Paga, i cili sipas saj, në atë kohë e kishte koeficientin më të vogël sesa që e ka tash.
“Së fundmi greva e fundit në 2019, kur ishte në qeverisje PAN-i, greva zgjati tri javë dhe u ndërpre vetëm për faktin se u procedua projektligji me koeficient të mësimdhënësve të cilët janë më keq sesa janë tani”, ka vijuar Nagavci.
Ministrja e Arsimit ka shprehur mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit, të cilët kanë punuar në vitet e ’90-ta, pa paga dhe në kushte të vështira.