Kritikat rreth problemeve me cilësinë e teksteve shkollore janë të kahmotshme, shpeshherë ndër vite është kritikuar Ministria e Arsimit për mënyrën e zgjedhjes së teksteve të reja shkollore, duke dyshuar se ka parregullsi në to.
Vazhdimisht nga njohës të arsimit, është kërkuar që tekstet shkollore të rishikohen, në mënyrë që të jenë sa më të përshtatshme për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Për tekstet shkollore, ka folur sot ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, duke bërë të ditur se ekipi hartues për projektligjin për tekste shkollore, ka përmbyllur të premten punën e tyre, sipas ministres, disavjeçare.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka theksuar se projektligji në fjalë do të jetë transparent në përzgjedhjen e teksteve shkollore, sipas saj ky projektligj do të pamundësojë ndikimet në përzgjedhjen e teksteve shkollore.
Ky projektligj, sipas të parës së arsimit, mundëson recensentë kompetentë dhe publikë, që do të mundësonte vlerësim të duhur për tekstet shkollore.
Po ashtu, projektligji do të mundësojë që aplikuesit të mos varen nga shtëpitë botuese, por t’i paraqesin punimet e tyre në mënyre të pakufizuar.
Një nga pikat e tjera të këtij projektligji thotë se do të ketë rishikim të vazhdueshëm të teksteve shkollore.
“Do të ketë rishikim të vazhdueshëm të teksteve shkollore. Tekstet shkollore të miratuara për botim do të rishikohen nga mësimdhënësit përgjatë gjithë vitit mësimor. Jo më tekste shkollore që ribotohen vetëm me faqe të parë ndryshe”, thuhet në njoftimin e Nagavcit.
Ministrja Nagavci u ka bërë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të kontribuojnë me ide apo komente, pasi projektligji të nxirret në diskutim publik, siç ka bërë të ditur, në fillim të muajit maj.