Ish-drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.
Vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e bëri të ditur për Portali Dukagjini, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Po i është vazhduar edhe për dy muaj”, tha shkurtimisht ajo.
Ndryshe, Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore për zgjatjen e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Aktvendimi i Gjykatës themelore është anuluar dhe çështja i është kthyer në rivendosje.
“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të pandehurit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga, sipas detyrës zyrtare, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special PPPS.nr.20/2023 dt. 19.07.2023, anulohet dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje”, thuhet në pikën e parë të aktvendimit.
Sipas vendimit, Nagip Krasniqi do të mbetet në paraburgim deri në një vendim tjetër të gjykatës së shkallës së parë.
Sipas Apelit vendimi i Themelores për vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin për dy muaj, “është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 dhe paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 e lidhur me nenin 188 të Kodit të Procedurës Penale”.
Tutje në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se çështja e paraburgimit është kthyer në rivendosje në mungesë të arsyeve “për faktet vendimtare në këtë çështje penale”.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, pas analizimit të aktvendimit të ankimuar dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore të mbrojtësit të pandehurit…. Virtyt Ibrahimaga, të ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PPPS.nr.20/2023 dt.19.07.2023, gjeti se aktvendimi i ankimuar është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. I nënpar. 1.10 dhe par.2 nënpar 2.1 e lidhur me nenin 188 të KPPS-ës, për çka detyrimisht duhej anuluar dhe kthyer në rivendosje në mungesë të arsyeve për faktet vendimtare në këtë çështje penale dhe moszbatim të dispozitave të KPP-ës.
“Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e ankimuar, nuk ka dhënë arsyet e duhura dhe të nevojshme sa i përket vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, që lidhen me pikën 1.2.2 të KPPRK-së e që kanë të bëjnë me rrezikun e asgjësimit, fshehjes, ndryshimit apo falsifikimit të provave të veprave penale dhe pengimit të procedurës penale përmes ndikimit në dëshmitarë, në të dëmtuar apo bashkëpjesëmarrës të veprave penale”, thuhet në vendim.
Gjykata e Apelit ia anulon vazhdimin dymujor të paraburgimit Nagip Krasniqit