Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht.
Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”.
Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez.
Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.
Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij.
Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.
Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj.
Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar.
Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.
Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Histori e përgjithshme” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”. Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht “Tehajylat” (Ëndërrimet) më 1888 botoi “Dituritë”, më 1890 “Lulet e verës”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturake”, më 1898 “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë” dhe më 1889 “Historia e Shqipërisë”.
Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s’e pa dot të lirë.
Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:
Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri,
mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai.
Lirika filozofike
Naim Frashëri është poeti i parë shqiptar që i kushton kujdes të veçantë poezisë filozofike dhe mund të quhet themeluesi i saj në poezinë shqiptare.
Ai ka shkruar një numër të dukshëm vjershash filozofike, të përfshira në vëllimet poetike “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Lulet e verës”, “Parajsa dhe fjala fluturake” dhe në përmbledhjen në gjuhën persishte “Tehajylat” (Ëndërrimet).
Në këto lirika Naimi shpesh shtron pyetje të tilla të karakterit filozofik: C’është natyra? Cilat janë ligjet e saj? Ku është fillimi e ku është fundi i saj? Cili është vendi i njeriut në të?
Këtë etje për të përsiatur për gjithçka poeti e shpreh edhe me vargje:
Mendja ime, që s’gjen prehje, bën kërkime
dhe rropatet me aq pyetje-e-mërmërime:
Kush? pse? Çfarë? ku e kur? e si e sa? (“Ëndërrimet”)
Naimin e habit dhe njëkohësisht e mrekullon gjithësia, pambarimësia e saj: Toka dhe Dielli, yjet, ndërrimet e stinëve, deti, era, lumi, rrufeja, njeriu, lulet, zogjtë, bagëtia, gjithçka. Poeti mendimtar e sheh gjithësinë si një libër të hapur të cilin njeriu vazhdimisht përpiqet ta lexojë, sepse kështu do të gjejë kuptimin e botës. Kjo pafundësi dukurish e mahnit dhe e gëzon poetin, jo vetëm sepse me to është e lidhur jeta e njeriut, por edhe pse në qënien dhe në rendin e tyre ai sheh shprehjen e ligjeve absolute, sheh mishërimin e perëndisë. Këtë koncept panteist e vumë në dukje edhe te “Lulet e verës”.
Një trup është gjithësia
Dhe të sosur s’ka gjëkundi,
më çdo an’ është perëndia,
një det që s’i gjendet fundi.
(“Gjithësia“, “Vjersha për mësonjëtoret”).
Botëkuptimi i Naimit në lirikat filozofike shpesh është kontradiktor. Mbasi pohon pafundësinë e gjithësisë, Naimi thotë:
Gjë s’humbet, as pakësohet
edhe sërish nukë shtohet:
çdo q’është përsëritet.
(“E vërteta“, – “Vjersha për mësonjëtoret“)
Një nga mendimet më të rëndësishme të Naimit është ai që lidhet me njohjen njerëzore. Ai mendonte se njeriu është në gjendje, me forcën e arsyes, të depërtojë në të fshehtat e natyrës, të njohë ligjet e saj, ta përdorë natyrën për nevojat e tij, pra, të bëhet gjithnjë e më tepër zot i saj, me anë të njohjes shkencore. Sipas tij, duke njohur natyrën, njeriu njeh krijuesin e saj, zotin:
Është në shesh Perëndia,
i verbëri s’mund ta shohë,
ajo është gjithësia,
i dituri mund ta njohë.
(“Perëndia” – “Lulet e verës”)
Duhet theksuar se problemet e gjithësisë, të natyrës etj., asnjëherë, Naimi nuk i pa të shkëputura nga njeriu, nga vendi i tij në botë, nga fati i tij. Naimi e vlerëson shumë lart njeriun. Si panteist, poeti mendon se shfaqja më e përsosur e hyjnisë në jetë është vetë njeriu. Njeriu, sipas Naimit, është qëllimi dhe arritja më e lartë e krijimtarisë hyjnore, është trajta e shfaqjes më të epërme, sepse është krijesë me ndërgjegjje e moral. Prej këtij lind edhe ai humanizëm i thellë, ai respekt e dashuri e pakufishme për njeriun.
S’ka më të lartë në jetë
nga njeriu, q’është i vërtetë.
(“E vërteta” – “Vjersha për mësonjëtoret”)
Naimi mendon se njerëzit vërtet vdesin, por si gjini janë të pavdekshëm, janë të përjetshëm. Duke u kthyer sërish te gjithësia, ata rilindin sërish te breznitë që përsëriten pa fund.
Botëkuptimi i Naimit është sintezë origjinale mbi bazën e panteizmit dhe ka prirje të dukshme përparimtare.
Poezi nga Naim Frashëri
O malet e Shqipërisë
dhe ju o lisat e gjatë,
fushat e gjera me lule,
qe ju kam nder mend ditë e natë.
Ju bregore bukuroshe
dhe ju lumenj të kulluar,
cuka, kodra, brinja, gerxhe
dhe pyje te gjelbëruar!
Do të këndoj bagetinë
që mbani ju e ushqeni,
o vendethit e bekuar,
ju mendjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më jep nder,
me jep emrin shqipëtar,
zemrën ti ma gatove
plot me dëshirë e me zjarr!