Vetëm pak ditë pas tentimit të parë, Naim Murseli dhe të tjerët të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt janë rikthyer në Gjykatë.
Këtë herë, të gjithë avokatët të pajisur me shkresat e lëndës, ia hapen rrugën prokurores që të lexoj akuzat që rëndojnë për secilin, Naim Murselin, Kushtrim Kokallën, Granit Plavën dhe Tomë Dodajn.
Akuzës së Prokurorisë iu përgjigjën të gjithë të akuzuarit, përfshirë Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, Liridona Ademaj.
Ky ishte i vetmi që u deklarua i pafajshëm.
“Deklarohem plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Murseli.
Granit Plava e Kushtrim Kokalla vendosën të mbrohen në heshtje.
Ndërsa, ai që akuzohej që ia kishte shitur armën Naim Murselit veproi ndryshe.
Ai pranoi fajësinë e tij.
“Në mënyrë vullnetare deklarohem i fajshëm”, ka thënë Dodaj.
Për këtë, trupit gjykues me miratimin e palëve, vendosi që ta veçoj procedurën ndaj tij dhe ta shqiptoj dënimin.
Për veprën penale të shitjes së paautorizuar të armëve, atij iu shqiptuan 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Paraprakisht në këtë seancë të shqyrtimit fillestar pati ankesa për hapje të CD-ve të provave nga ana e avokatit të të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për çka Gjykata vendosi t’i testoj disa nga to.
Në këtë pjesë, për mosbindje ndaj Gjykatës, u dënua me gjobë 500 euro avokati Ndrec Dodaj.