Ushtruesi i detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, është lidhur direkt në Debat Plus nga arratia, duke njoftuar se ndodhet në një udhëtim zyrtar në Francë.
Ai ka theksuar se ka marrë të gjitha aprovimet e nevojshme nga Ministria për këtë udhëtim, duke shprehur se çdo veprim i tij është në përputhje me procedurat zyrtare.
“Unë aktualisht jam në një udhëtim zyrtar në Francë… Unë i kam marrë të gjitha aprovimet prej Ministrisë,” ka deklaruar Hafizi në Debat Plus.
Hafizi, në “Debat Plus”, e ka quajtur të montuar raportimin e gazetarit Lirim Mehmetaj në “Albanian Post” mbi keqpërdorimet me borxhin e ambalazhuesve të ujit nga ministria e Liburn Aliut. Hafizi ka theksuar se akuzat janë të fabrikuara dhe se dokumentet e prezantuara nga gazetari janë të montuara dhe jo të vërteta.
“Të gjitha që ai (Lirim Mehmetaj) po i prezanton i ka te fabrikuara… Problematika e kësaj çështje që është gati që 20 vjet. Dokumentet e prezantuara nga gazetari janë të fabrikuara, të montuara. Aty ku insistonte ministri nuk ka pasur preambulë”, ka thënë Hafizi.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka njoftuar se Hafizi është nën hetim për veprat penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar,” “Shpëlarjes së parave” dhe “Mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave dhe detyrimeve financiare.” Arrestimi i ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Ambientit, Izedin Bytyqi, u realizua si pjesë e këtij aksioni të gjerë hetimor për korrupsion dhe abuzim me detyrat zyrtare.
Hafizi ka sqaruar se nuk është thirrur nga Prokuroria për këtë rast, por një hetues policor e kishte kontaktuar për herë të parë gjatë ditës, që kur hetimi kishte filluar. Ai gjithashtu ka njoftuar se do të kthehet pas dy ditësh.
“Jo (nuk jam thirr nga Prokuroria për këtë rast). sot më ka thirr një polic hetues. Për herë të parë për këtë çështje prej kur ak filluar hetimi dhe i kam thënë që jam në udhëtim jashtëvendit. Kaq.
Patjetër (se do të paraqiten në Prokurori). Këtë çështje e kam kërkuar publikisht, me u hetu deri në fund. Do të kthehem pasnesër”, ka shtuar Hafizi.