Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për trafikim me narkotikë, Naser Kelmendi, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Kelmendi është shpallur të enjten, nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.
Sipas aktgjykimit, koha e kaluar në privim lirie, do t’i llogaritet në shqiptimin e dënimit.
Sipas gjykatëses Çerkini, lidhur me nxjerrjen e këtij aktgjykimi, gjykata ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Si rrethanë rënduese, gjykata ka marrë përfshirjen e shumë personave, metodat e sofistikuara për fshehjen e narkotikëve, ndërsa si rrethanë lehtësuese është marrë koha e kaluar që nga kryerja e veprës penale, nga e cila kohë nuk është gjetur ndonjë vendim i formës së prerë që i akuzuari ka kryer ndonjë vepër të njëjtë apo të ngjashme.
Në pajtim me dispozitat ligjore të KPRK-së, i akuzuari Kelmendi është i detyruar të paguajë shumën prej 300 eurosh për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Kelmendi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për trafikim me narkotikë.
Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat e tjera penale, që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat e tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.
Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë eurosh. Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.
Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.
Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.
Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.
Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani, pasi ndaj tij nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.
Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës./BetimipërDrejtësi