Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar partitë opozitare se kanë provokuar një “lëvizje dhuneje”, derisa protestat në vend vazhduan për natën e gjashtë.
Trazirat filluan në Stamboll të mërkurën e kaluar kur kryetari i qytetit Ekrem Imamoglu – rivali kryesor politik i Erdoganit – u arrestua me akuza për korrupsion.
Imamoglu tha se akuzat kundër tij ishin të motivuara politikisht, një pretendim që Erdogan e ka mohuar.
Partia kryesore opozitare e Turqisë, Partia Republikane Popullore (CHP), e cila shpalli Imamoglun si kandidatin e saj presidencial të dielën, tha se demonstratat do të përfundojnë të martën, pa thënë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm.
Erdogan i ka cilësuar demonstratat “të liga” dhe fajëson opozitën për “turbullimin e qetësisë së qytetarëve tanë me provokime”.
Duke folur nga Ankaraja, kryeqyteti i Turqisë, Erdogan bëri thirrje për përfundimin e protestave dhe tha se “në vend që të përgjigjen ndaj akuzave”, partitë opozitare “kishin bërë deklaratat më të ndyra dhe të paligjshme në historinë tonë politike për pesë ditët e fundit”.
Të hënën, automjetet që mbanin topa uji u panë pranë bashkisë së qytetit, megjithëse protestat u duk se ishin kryesisht paqësore pa përsëritje të përleshjeve të ashpra që u panë të dielën.
Lydia, një nga demonstruesit, i tha AFP se autoritetet turke “po na gjuanin si dëmtues”, duke shtuar: “Ata spërkatën me sprej piper mbi ne si insekticide”.
Të rinjtë – shumë prej të cilëve mund të mos njohin asnjë qeveri tjetër përveç kësaj të Erdoganit – kanë luajtur një rol të rëndësishëm në protesta.
Ata kanë pikëpamje të ndryshme politike dhe nuk duket se janë të lidhur me ndonjë lëvizje të caktuar politike në protesta. Ata janë tubuar kundër qeverisë, por nuk ngurrojnë të kritikojnë edhe opozitën.
E pyetur nëse ajo ka frikë nga pasojat e mundshme të demonstrimit, një grua tha për BBC: “Nuk ka mbetur asgjë për të humbur”.
Një tjetër, një grua 25-vjeçare që mori pjesë në protestën e së dielës, tha se kishte frikë më parë – “por tani jam thjesht e zemëruar”.
Në shifrat e publikuara përpara tubimeve të së hënës në mbrëmje, qeveria turke tha se 1,133 persona ishin arrestuar që nga fillimi i protestave.
Me përfundimin e tubimeve të CHP-së në Stamboll, është e paqartë nëse protestat e tjera spontane do të vazhdojnë.
Kreu i CHP-së Ozgur Ozel foli me mijëra të mbledhur të hënën mbrëma, duke i thënë turmës se demonstrata ishte “një akt sfide kundër fashizmit”.
Ozel tha se do të vizitonte Imamoglun në burgun në Silivri të martën. Ai shtoi se CHP do të apelojë që ai të lirohet në pritje të gjyqit dhe që gjyqi i tij të shfaqet drejtpërdrejt në transmetuesin shtetëror TRT.
Imamoglu u konfirmua të hënën si kandidati i CHP-së për zgjedhjet presidenciale të Turqisë 2028, pavarësisht se ishte në paraburgim. Votimi i përzgjedhjes ishte simbolik pasi ai kishte qenë i vetmi person që kandidonte.
Ai e kishte kaluar natën e kaluar në burg pasi u arrestua zyrtarisht dhe u akuzua për “krijim dhe drejtim të një organizate kriminale, marrje ryshfeti, zhvatje, regjistrim të paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulim tenderi”. Ai gjithashtu u pezullua nga posti i tij si kryetar bashkie.
Prokurorët e kishin akuzuar gjithashtu për “ndihmë të një organizate të armatosur terroriste”, por kjo nuk ishte përfshirë në akuza.
Para se të arrestohej, Universiteti i Stambollit tha se po revokonte diplomën e Imamoglu. Nëse mbështetet, do të vinte në pikëpyetje garën e tij presidenciale, pasi kushtetuta turke kërkon që presidentët të kenë përfunduar arsimin e lartë.
Në një postim në X gjatë fundjavës, Imamoglu tha se “nuk do të përkulet kurrë” dhe e kritikoi arrestimin e tij si një “njollë të zezë për demokracinë tonë”.
Gruaja e tij, Dilek Kaya Imamoglu, u tha demonstruesve jashtë bashkisë së Stambollit se “padrejtësia” me të cilën u përball i shoqi “kishte një akord me çdo ndërgjegje”.
Pjesa më e madhe e zemërimit të protestuesve i drejtohet Erdoganit dhe qeverisë së tij.
“Unë nuk e di se çfarë bëri ai 20 vjet më parë, por në ditët e sotme, ai është thjesht një diktator,” i tha Irmak, një student universiteti 22-vjeçar, për BBC World Service në një demonstrim në zonën Sarachane të Stambollit.
Irmak dhe miqtë e saj, Ozge dhe Elif, thanë se kishin aktivizuar funksionin e ndarjes së vendndodhjes në telefonat e tyre, pasi kishin frikë se do të ndaloheshin nga policia.
Këto demonstrata kanë qenë më të mëdhatë në Turqi që nga protestat e Gezi të vitit 2013, të cilat filluan në Stamboll për prishjen e një parku lokal.
Ata kanë qenë kryesisht paqësorë, por të dielën oficerët e policisë qëlluan me topa uji dhe përdorën sprej piper ndërsa u zhvilluan përleshjet.
“Ne jemi frutat e pemëve të Gezis,” tha Irmak. “Ne jemi këtu për të mbrojtur demokracinë. Nuk ka të bëjë vetëm me Ekrem Imamoglu – ka të bëjë me demokracinë e Turqisë.”
Imamoglu ishte një nga më shumë se 100 personat e arrestuar javën e kaluar si pjesë e një hetimi. Të tjerë të arrestuar përfshijnë politikanë, gazetarë dhe biznesmenë.
“Ne nuk po e pranojmë këtë padrejtësi”, tha Mustafa në mesin e protestuesve për BBC. “Ne duam demokracinë dhe duam që miqtë tanë të kthehen, sepse Imomoglu nuk është i vetmi që qëndron prapa hekurave tani”.
Ai shtoi: “Ne duam të rivendosim demokracinë në këtë vend dhe duam të shpëtojmë republikën nga ky regjim autoritar populist. Dhe për një afat të shkurtër, ne vetëm duam kthimin e kryetarit tonë, ne duam të kthehen miqtë tanë.”
Arrestimi i Imamoglu nuk e pengon kandidaturën apo zgjedhjen e tij si president, por ai nuk do të jetë në gjendje të kandidojë nëse dënohet për ndonjë nga akuzat kundër tij.
Kryetari i opozitës shihet si një nga rivalët më të frikshëm të Erdoganit, i cili ka mbajtur detyrën në Turqi për 22 vjet si kryeministër dhe president.
Mandati i Erdoganit në detyrë do të përfundojë në vitin 2028 dhe sipas rregullave aktuale, ai nuk mund të kandidojë përsëri – por ai mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme ose të përpiqet të ndryshojë kushtetutën për ta lejuar atë të qëndrojë në pushtet për më gjatë.
Ministria e Drejtësisë e Turqisë ka kritikuar ata që lidhin Erdoganin me arrestimet dhe këmbënguli në pavarësinë e saj gjyqësore./BBC