NATO-ja paralajmëron Kinën të mos ofrojë mbështetje ushtarake për Moskën

Zyrtari numër dy në NATO po paralajmëron Kinën që të mos ofrojë mbështetje ushtarake për Moskën, ndërsa Rusia vazhdon agresionin e saj brutal dhe të paligjshëm

Ndërsa bota pret që Ukraina të fillojë kundërofensivën e saj të parashikuar kundër Rusisë, zyrtari numër dy në NATO po paralajmëron Kinën që të mos ofrojë mbështetje ushtarake për Moskën, ndërsa Rusia vazhdon agresionin e saj brutal dhe të paligjshëm.

Të hënën, Britania ofroi një tjetër paketë ndihme për Ukrainën – këtë herë me raketa të mbrojtjes ajrore dhe dronë me rreze të gjatë veprimi – vetëm dy ditë pasi Gjermania njoftoi paketën e saj më të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës.

Por, ndërsa aleatët ndihmojnë në forcimin e Ukrainës përpara një kundërofensive të parashikuar, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s po paralajmëron Kinën që të mos bëjë të njëjtën gjë për Rusinë, të cilën ai thotë se bota e sheh si agresore të qartë në luftën ndaj Ukrainës.

“Nuk kemi parë ende shenja të dhënies së armëve ushtarake nga Kina për të ndihmuar Rusinë, por e dimë se diskutimet po vazhdojnë. Ky do të jetë një vendim shumë, shumë serioz për Kinën, që do të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet e tyre me ne, por në reputacionin e Kinës para pjesës tjetër të botës”.

Pas dimrit të ftohtë, zyrtarët thonë se Ukraina po kryen tani operacione përgatitore përpara sulmit të planifikuar.

“Ne, gjithashtu, shohim një situatë të paqëndrueshme përgjatë vijës së frontit. Ka tregues për një përparim territorial nga pala ukrainase, në anën perëndimore të Bakhmutit. Ne e dimë se Ukraina ka kapacitetin për të nisur një kundërofensivë të suksesshme, por e dimë gjithashtu se Rusia ka kapacitetin për të bërë një rezistencë të konsiderueshme” tha zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoană.

Ekspertët ushtarakë besojnë se lufta në Ukrainë do ta vërë përballë gjithnjë e më shumë sasinë e trupave me cilësinë e mjeteve në muajt e ardhshëm.

“Rusët do të përqendrohen, do t’u duhet të mbështeten te sasia, te një numër më i madh të rekrutuarish dhe te mobilizimi i personave jo të trajnuar mirë, me materiale të vjetra, por në numër të madh. Ukrainasit fokusohen në cilësi me sistemet e armëve perëndimore dhe stërvitjen perëndimore. Ky është ndryshimi i madh”.

Por, komandanti i lartë i NATO-s për Evropën thotë se ndërsa Ukraina ka dëmtuar rëndë forcat tokësore ruse, forcat ajrore, detare dhe kibernetike të Moskës mbeten kryesisht të paprekura.

“Në fusha të tjera, dëmtimi ka qenë shumë më pak i dukshëm”, thotë gjenerali Christopher Cavoli.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s i tha Zërit të Amerikës se aleanca mbetet e përkushtuar ndaj Ukrainës.

“Përparësia numër një është të ndihmojmë Ukrainën të fitojë këtë luftë”.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë se Kievi synon të rimarrë të gjithë territorin ukrainas, ndërsa u zotua të mos sulmojë tokën ruse./VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika