“NATO në Kosovë – deri në përfundim të dialogut me Serbinë”

NATO mbetet e përkushtuar në angazhimin e vazhdueshëm në Kosovë, në mënyrë që të kontribuohet për ambient të sigurt dhe të ketë stabilizim edhe më të gjerë në Ballkanin Perëndimor.

Teksa këtë e konfirmojnë nga aleanca euroatlantike, ekspertë të fushës së sigurisë në vend thonë se forcat amerikane do të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit të sigurisë, të paktën, derisa bisedimet Kosovë-Serbi të marrin një epilog që nuk çon në eskalim të situatës ndëretnike.

Të kontaktuar nga RTV Dukagjini, nga zyra për komunikim e kësaj aleance thonë se “çfarëdo ndryshimi të vendosjes së forcave të KFOR-it, ato mbeten kushtimisht të bazuara dhe të papërcaktueshme kalendarisht”.

“Mbesim të përkushtuar dhe të vendosur në angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe përmes forcave të udhëhequra nga NATO (KFOR), të cilat kontribuojnë për një ambient të sigurt dhe një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor, përmes përpjekjeve të ndërtimit të kapaciteteve të vazhdueshme me organizatat e sigurisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

 

Ish-ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Anton Quni, ka thënë se derisa nuk është në horizont përfundimi i bisedimeve Kosovë-Serbi, nuk beson se SHBA-të do t’i tërheqin trupat e tyre ushtarakë  nga Kosova, në të kundërtën, sipas tij, ekziston mundësia e daljes jashtë kontrollit midis dy vendeve fqinje.

“Derisa nuk është në horizont epilogu i bisedimeve Kosovë-Serbi, potencialisht, ekziston mundësia e eskalimit të situatës ndëretnike dhe ndërshtetërore. Nuk e besoj se në një situatë të tillë, forcat amerikane do të ndërmerrnin një veprim te tillë të njëanshëm, aq më shumë kur ato veprojnë dhe operojnë në një mjedis miqësor dhe të mirëpritur nga shumica e popullatës”, është shprehur Quni.

Siç thekson anëtari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, angazhimi i forcave amerikane jashtë territorit të tyre ka karakter të ndryshëm, ndërkaq mandati i tyre ndryshon varësisht nga rrethanat e caktuara.

“Prandaj vazhdimi i prezencës apo ndërprerja e angazhimit të tyre, varet nga kompleksiteti me ç’ rast ndërthuren shumë faktorë, duke konsideruar situatën konkrete”, shtoi ai.

Quni, njëherësh edhe deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se faktorët kryesorë përcaktues për zhvillimin e operacioneve ushtarake janë synimet gjeostrategjike, politika e brendshme dhe globale, partneriteti dhe aleancat, niveli i rrezikshmërisë si dhe kostoja financiare.

Në anën tjetër, Quni ka potencuar se “forcat amerikane, së bashku me partnerët strategjikë, me rastin e zbarkimit në Afganistan, në fokus kishin rrjetin terrorist ‘Al- Qaeda’, me të gjitha kapacitetet e saj”.

‘“Al-Qaeda’ është neutralizuar specifikisht si formacion, e cila drejtpërdrejt kishte rrezikuar jetët, institucionet dhe ekonominë amerikane. Kurse angazhimi i të njëjtëve në Kosovë, fillimisht, ishte si lidere brenda NATO-s dhe pastaj nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, si pjesë e KFOR-it”.

Sipas Qunit, misioni i KFOR-it në Kosovë është të kontribuojë në ruajtjen e mjedisit të sigurisë.

Por, që prezenca e NATO-s në Kosovë të rishikohet në aspektin e kohëzgjatjes dhe mandatin e misionit, Quni konsideron që për këtë do të duhej një marrëveshje e supozuar midis Kosovës dhe Serbisë e garantuar nga SHBA-të.

“Marrëveshja e supozuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e garantuar nga SHBA dhe BE, si dhe ngritja e kapaciteteve të plota të FSK-së dhe funksionaliteti i saj në gjithë territorin e Kosovës, do të ndikonin drejtpërdrejt në rishikimin e rezolutës 1244 të KB, pas së cilës, prezenca e NATO-s në Kosovë do të rishikohej në aspektin e kohëzgjatjes dhe mandatin e misionit”, përfundoi ai.

Gati 20 vjet pasi SHBA-të pushtuan Afganistanin për t’u hakmarrë ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, e goditjen ndaj Al Kaedës dhe talebanëve, të cilët pritën Osama bin Ladenin, një administratë tjetër amerikane po e lë vendin në kontrollin e militantëve talebanë, të cilët ende mbajnë lidhje të ngushta me Al Kaedën dhe organizatat e tjera terroriste.

Ndërkaq, trupat e armatosur të NATO-s, operojnë që nga paslufta në Kosovë me qëllim të sigurimit të armatosur të Kosovës.

Formimi i kësaj trupe nën komandën e NATO-s është thirrur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara më 10 qershor të vitit 1999 në Rezolutën 1244, me qëllim të krijimit të një hapësire sigurie për kthimin e refugjatëve të luftës.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika