Zëdhënësja e Aleancës Veriatlantike (NATO), Oana Lungescu, ka thënë se NATO është duke i përcjellë me “shumë seriozitet” ngjarjet në veri të Kosovës.
Gjithashtu, Lungescu ka theksuar se KFOR-i është duke ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar një mjedis të sigurt në Kosovë.
“NATO i merr shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës. KFOR po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka shkruar ajo në Twitter.
Lungescu u ka bërë thirrje të dyja palëve (Kosovës dhe Serbisë) që ta respektojnë vijën kufitare dhe të gjitha obligimet e tjera.
“I rikujtojmë edhe një herë të gjitha palëve obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake, duke përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto detyrime janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin dhe ruajtjen e mjedisit të sigurt”, ka shtuar Lunegescu.