Koordinatori për Financa në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë për të ndarë 5 milionë euro për blerjen e lëndëve djegëse për familjet përfituese të asistencës sociale.
Sipas Mustafës, Qeveria i ka braktisur këto familje, “në këtë kohë të krizës së rritjes së çmimeve, duke mos bërë asnjë rritje të shumës së përfitimit social për ato familje”.
Ai ka thënë se edhe në këtë rast vërehet “ngathtësia e kësaj Qeverie” për t’iu përgjigjur me kohë nevojave të qytetarëve.
“Dihet mirëfilli se drunjtë për ngrohje blihen më herët, kur kushtet atmosferike janë më të mira, dhe jo në këtë kohë kur familjet e varfra ka javë që po sfidohen me temperaturat e ulëta në shtëpitë e tyre dhe kushtet për t’i përgatitur drunjtë për ngrohje tani janë shumë më të vështira”, ka shkruar Mustafa.
Sipas tij, Qeveria është përcaktuar ta përfundojë mandatin me “harrnime” të tilla të përkohshme dhe të mos ofrojë asnjë zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Rreth 21 mijë familje me total rreth 81 mijë anëtarë përfitues do të subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse, me qëllim të tejkalimit sa më të lehtë të stinës së dimrit.
Murati ka thënë se 120 euro do të ndahen për familje, e më pas edhe nga 30 euro për secilin anëtar të familjes.
Ai ka thënë se kjo masë vlen vetëm njëherë dhe vlera totale është 5 milionë euro.