Është lindur e rritur në Kosovë, por Dragan Stoliq pothuajse gjatë gjithë jetës së tij valutën e vetme që ka përdorur është dinari.
Serbi që banon në komunës së Graçanicës, thotë të mos e ketë menduar asnjëherë me parë që këtë valutë nuk do të mund ta përdorte.
Po problemi është i madh për krejt, si për pensione si për sociale, na jemi rrit në dinar, krejt me Albin Kurti e me krejt na. Problemi është në kry të politikanëve, nuk është problemi në popull, neve kërkush nuk po na pyet sa po na vynë dinari a euro, ka thënë Dragan Stoliq, banor i Graçanicës.
Ndonëse nuk duan të flasin para kamerës, banorë të tjerë të kësaj komune vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, po e shohin jo të duhur ketë vendim.
Të rrethuar nga komunat me shumicë shqiptare, në Graçanicë dinari është valuta kryesore që përdorin serbët, pavarësisht se ajo ka qenë gjithmonë ilegale.
Kjo shishe e ujit këtu në një market në komunën e Graçanicës kushtoi rreth 50 dinarë, por në momentin kur shitësi vëren se një person nuk është nga komuniteti i tyre pranon edhe paratë euro.
Ditë më parë, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme.
Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është euro.
Pas Bashkimit Evropian, kundër këtij vendimi ka reaguar edhe ShBA-ja.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim.
“Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”.
Por e menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e Qeverisë.
“Nuk ka logjikë që në një rast të ketë insistim te bashkësia ndërkombëtare që Kushtetuta duhet të implementohet në tërësi siç është për tokën e Manastirit të Deçanit, pastaj kur flitet tek neni 11 i Kushtetutës që thotë ka vetëm një monedhë për qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq të thonë po këtë mos e zbatoni. Kushtetuta ose është e shenjtë dhe të zbatohet ose pastaj duhet bërë qeripik”, ka thënë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
Nga data 1 shkurt në Kosovë pagesat do të mund të bëhen vetëm me valutën euro.