Punimet e nisura të hënën në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë janë ndaluar nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Këtë vendim disa qytetarë po e konsiderojnë si politik, të tjerë e shohin si të duhur këtë ndalim.
Rrahim Krasniqi për KP, thotë se nuk është hera e parë që Ministria e Kulturës ndalon projekte të tilla.
Në anën tjetër, Jashar Ismaili mendon se Inspektorati për Trashimi Kulturore ka vepruar mirë duke i ndaluar punimet, sepse sipas tij komuna e Prishtinës ka investuar pa plan për këtë projekt.
Omer Halimi shpreson se do të gjendet një gjuhë e përbashkët mes komunës dhe inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
KosovaPress ka provuar të marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë, por të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë informacion, duke thënë se do ta lëshojnë një komunikatë për media.
Por, nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku shkroi në Facebook se “Ministri Hajrullah Çeku dha urdhër për t’i ndaluar punimet në projektin e Sheshit “Xhorxh Bush”.
Ajo ka thënë se “ky veprim i ministrit Çeku tregon më së miri se si e kuptojnë pushtetin në VV: pra, si një mundësi për të bllokuar çdo iniciativë dhe projekt të partive të tjera, qoftë edhe nëse me këtë i ndëshkojnë qytetarët e këtij vendi, në këtë rast të kryeqytetit të Kosovës”.
Pyetje janë dërguar edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur përgjigje.
Punimet në këtë shesh zhvillohen në mes të hotelit “Grand”, Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Radio Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare.
Sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore ose ato pranë tyre kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent./KP