Është pajisje pa të cilën vështirë imagjinohet që të rinjtë ta kalojnë ditën. Por nga 1 shkurti ata nuk do të lejohet të përdoren në objektet e shkollave të Podujevës.
Ketë vendim e ka marrë kjo komunë të mërkurën.
Por sa do të ndikojë largimi i telefonave në ngritjen e cilësisë, njohësit e fushës së arsimit janë goxha skeptik.
“Ma shumë duhet të fokusohemi se çfarë lloj aktiviteti bëhet në klasë që nxisin interesin e nxënësve dhe duhet të shihet shkaku i mosinteresimit dhe rregullat që aplikohen në klasë, nuk ndalohet teknologjia”, tha Bardha Qirezi, njohëse e arsimit.
Ndërsa për Rinor Qehajen e rëndësishme është të dihet sa është përfillur deri tash një vendim i tillë i marrë vite më parë nga Ministria e Arsimit.
“Ne kemi një vendim ende aktiv të Qeverisë që e kufizon qasjen në telefona në nivel vendi, ajo çka është e rëndësishme është zbatimi i këtij vendimi ku tregon që nxënësit nuk kanë qasje në telefona mobil në përudhen e procesit mësimor”, tha Rinor Qehaja, njohëse e arsimit.
Vendimi MASHT-it që ndalon përdorimin e telefonit gjatë procesit mësimor nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional dhe punëtorët tjerë në ambientet e institucioneve edukative-arsimore para universitare, ka hyrë në fuqi në vitin 2018.
Në vitin 2023, një raport i Kombeve të Bashkuara kishte kërkuar që telefonat duhet të ndalohen gjatë mësimit në të gjitha shkollat e botës.
Ky raport tregonte se ka prova që përdorimi i tepruar i telefonit celular është shkaktar i performancës më të dobët te fëmijët dhe se koha e gjatë e qëndrimit para ekranit kishte efekt negativ në stabilitetin emocional të fëmijëve.