Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se janë ndaluar tre persona për veprën penale “marrje ryshfeti”.
Sipas njoftimit, të pandehurit A.Gj., D.N. dhe E.Q., në cilësinë e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve.
Kjo vepër dyshohet se është kryer në periudha dhe lokacione të ndryshme.
Prokuroria ka bërë me dije se janë bastisur tri lokacione gjatë së hënës.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore Gjakovë, dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore Gjakovë, me dt.20.01.2025, është kryer bastisje në tri (3) lokacion të ndryshme. Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se ndaj të pandehurve A.Gj., D.N., dhe E.Q., brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.