Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 24-orësh, tre të dyshuar (të mitur) lidhur me shkaktimin e zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se tre të miturit kanë kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Ferizaj.
Më 13 mars të këtij viti, këtë të mërkurë, është përfshirë nga zjarri objekti i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik.
Lexo më shumë: Përfshihet nga zjarri objekti i Gjykatës në Kaçanik, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme
Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se zjarri kishte kapluar një pjesë të dy zyrave të kësaj gjykate.
Lexo më shumë: Gjykata në Ferizaj për zjarrin në degën e saj në Kaçanik: Zjarrfikësit dhe policia janë në vendngjarje
Në vendin e ngjarjes kishin dalë menjëherë ekipi i zjarrfikësve dhe policia, të cilët kishin lokalizuar zjarrin dhe kishin ndërmarrë masat e nevojshme.