Policia e Kosovës në një komunikatë për media, ka njoftuar se policia kufitare në veri, më 10 qershor 2022 rreth orës 22:15, ka ndaluar një kamion që transportonte dele pa dokumentacion përkatës.
Patrulla policore e policisë kufitare ka ndaluar kamioni për kontoll në magjistralen Mitrovicë-Jarinje, në fshatin Rudar të Zveçanit.
Policia kufitare në veri ka bërë të ditur se kamioni drejtohej nga një mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur pesëdhjetë e gjashtë krerë dele.
“Drejtuesi i kamionit nuk posedonte asnjë dokument për origjinën ose prejardhjen e kafshëve. Gjatë procedurave të kontrollit të kamionit, kanë ardhur disa automjete të dyshuara nga të cilat janë hedhur mjete piroteknike në afërsi të njësisë policore”, thuhet në komunikatën për media.
“Nga këto mjete nuk ka pasur persona të lënduar. Kurse, kamioni është shoqëruar në terminalin doganor në Mitrovicë Jugu për procedura të mëtejme”, thuhet më tutje në komunikatë.
Për këtë rast, janë njoftuar njësitet policore nga rajoni i Mitrovicës Veri, të cilët do të procedojnë me shikimin e vendngjarjes.