“Ndarje selektive e buxhetit”- Qeveria akuzohet se i përkrahi komunat e VV-së e i la anash ato të opozitës

Kryetarët e komunave janë shprehur të zhgënjyer se projektet e tyre nuk do të gjejnë përkrahje në projektligjin për buxhet për vitin 2024. Komuna si ajo e Ferizajt, Skenderajt, Lipjanit, Kaçanikut e Rahovecit, kanë përfituar zero euro nga Qeveria për projekte të reja

Disa nga komunat e Kosovës janë përjashtuar nga lista e 13 milionë eurove të shpërndarjes buxhetore nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetarët e komunave janë shprehur të zhgënjyer se projektet e tyre nuk do të gjejnë përkrahje në projektligjin për buxhet për vitin 2024.

Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, i cili thekson se projektet e kryetarëve të disa komunave nuk u morën parasysh as në lexim të parë e as në atë të dytin.

Sa i përket çështjes së buxhetit për vitin 2024, komunat kanë adresuar shumë çështje, kanë dorëzuar shumë projekte në nivelin qendror edhe në Parlamentin e Kosovës, duke menduar se projektet e tyre do të merren parasysh në mes të leximit të parë dhe të dytë për projektligjin e buxhetit 2024. Në bazë të informatave tona, asnjë projekt i propozuar nga komunat nuk ka gjetur përkrahje nga komisionet parlamentare. Në përgjithësi, kryetarët e komunave, shumica absolute e tyre, janë të zhgënjyer se projektet e tyre nuk do të gjejnë përkrahje në projektligjin për buxhet për vitin 2024”, thotë Ibrahimi.

Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK)

Komuna si ajo e Ferizajt, Skenderajt, Lipjanit, Kaçanikut e Rahovecit, kanë përfituar zero euro nga Qeveria për projekte të reja.

“Asgjë për Ferizajn”

Ndonëse komuna e Ferizajt vazhdueshëm i është drejtuar me kërkesa për mbështetje të projekteve deputetëve të pozitës nga Ferizaj, ministrit të Financave, Hekuran Murati, megjithatë nuk kanë gjetur mbështetje për projekte të reja e as për investime kapitale.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, konsideron se “ndasitë dhe padrejtësitë” e ndarjeve buxhetore duhet të rikthehen në agjendën e grantit të katërt.

“Asgjë për Ferizajn! Është një çështje që e kemi diskutuar vazhdueshëm me kryeministrin Kurti që kemi pasur takime. Ky debat që po bëhet për pabarazinë e padrejtësinë e ndarjes buxhetore, kemi kërkuar që të hartohet granti i katërt, ne konsiderojmë që këto ndasi dhe padrejtësi duhet të rikthehen në agjendën e grantit të katërt dhe të ketë barazi për komunat në bazë të ligjit për grantin e katërt. Nevojat dhe kërkesat e komunës së Ferizajt të gjitha janë të dorëzuara në Ministritë e linjës, çdo kërkesë që e kemi pasur e kemi dorëzuar në Ministritë përkatëse. Sigurisht që nuk kemi gjetur mbështetje për vetë faktin se nuk janë pjesë e projektbuxhetit për vitin 2024”, tha ai.

Agim Aliu, kryetar i Ferizajt

“Zero projekte të reja për Lipjanin”

E padrejtë e krejtësisht politike konsiderohet kjo ndarje buxhetore nga kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Ahmeti thotë se nuk kanë gjetur mbështetje nga niveli qendror për asnjë projekt të dorëzuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

“Zero projekte të reja për buxhetin 2024. Është tërësisht e padrejtë ndaj qytetarëve të Lipjanit. Është një minus. Arsyeja është krejtësisht politike, i kemi dërguar kërkesat me shkrim në çdo Ministri në kohën e buxhetimit, kemi dërguar amendamente Armend Mujës në Komisionin për Buxhet në parlament, nuk kemi asnjë mbështetje të asnjë projekti. Pa dyshim që ne i kemi prezantuar dhe i kemi dërguar në lidhje me këtë projektbuxhet, por nuk kemi hasur në mbështetje”, thotë ai.

Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit

“Kaçaniku i diskriminuar nga niveli qendror”

Komuna e Kaçanikut, për gjatë kësaj qeverisjeje, është lënë anash nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, në një prononcim për Portalin Dukagjini, konsideron se viti 2024 do të jetë viti i katërt që kjo komunë nuk ka fituar përkrahje për realizimin e asnjë projekti të ri.

“Jo vetëm nga kjo listë, por komuna ka qenë ndoshta ndër të vetmet pak e veçantë, është viti i katërt i kësaj Qeverie që komuna e Kaçanikut nuk e ka asnjë projekt dhe kjo është për një çudi, dhe sido që të jetë, ky është një vendim qeveritar, por mendoj që qytetarët e Kaçanikut janë shumë të diskriminuar, sidomos prej kësaj qeverisje. Pra, nuk është viti i parë, por viti 2024 do të jetë viti i katërt që komuna jonë nuk e ka asnjë projekt të ri nga niveli qendror. Mendoj që gjithmonë në fund të shtatorit dhe tetori i bëjmë kërkesat me kohë duke iu drejtuar ministrit të Financave. Komisionit për Buxhet dhe Financa ia kam dorëzuar kërkesat me projekte dhe me arsyetim, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje. Qeveria ndoshta do të japë ndonjë arsye se deri më tani nuk kemi ndonjë arsyetim pse nuk kemi asnjë investim të ri në komunën tonë”, u shpreh Ilazi.

No photo description available.
Besim Ilazi, kryetar i komunës së Kaçanikut

“Rritje nominale e buxhetit në Rahovec”

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur i pakënaqur me nivelet financiare.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, ai ka thënë se ka më pak ndarje buxhetore për këtë komunë për vitin 2024, krahasuar me vitin që po lëmë pas.

“Nivelit qendror ia kemi prezantuar 27 kërkesa, edhe ministrive të linjës për projekte të rëndësishme që janë jetike për qytetarët që nuk kanë mundësi të mbulohen financiarisht nga qytetarët, edhe në Komisionin për Buxhet kemi dorëzuar amendamente. Deri më tani nuk kemi ndonjë informatë. Jemi të pakënaqur me nivelet financiare, në vend se të kemi rritje, ne kemi zvogëlim, është rritje e proklamuar e buxhetit për komuna, ka vetëm rritje nominale”, tha ai.

Smajl Latifi, kryetar i Rahovecit

“Jashtë listës edhe Skenderaj”

Ndonëse komuna e Skenderajt u godit nga fatkeqësitë natyrore si vërshimet, pos që nuk u subvencionua fare nga Qeveria, e njëjta as nuk përfitoi nga shpërndarja buxhetore e vitit 2024 për projekte të reja.

“Nga ajo që ne dimë, projekte të reja është zero, dhe kjo është një shpërfaqje e një liste. Nuk kemi asnjë projekt të ri. Jemi të përjashtuar nga lista e 13 milionëshit. Është penalizuar taksapaguesi, qytetari… Prioritet më të madh se një komunë që ka pasur gjendje të jashtëzakonshme nuk ka. Në infrastrukturën politike e kemi pasur të dëmtuar diku mbi 6 milionë… dhe kjo me ligjin për fatkeqësi natyrore i obligon institucionet qendrore t’i financojë me prioritet”, tha ai teksa e quan një precedent të rrezikshëm përjashtimin nga lista e përkrahjes së nivelit qendror.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura

“Buxhet jozhvillimor”

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, i cili ka shërbyer edhe si ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se buxheti i vitit 2024 nuk është buxhet zhvillimor.

Ai për Portalin Dukagjini thotë se buxheti për komunat për vitin 2024 është i ndarë në mënyrë të padrejtë.

“Ky buxhet qysh është projektuar, me këta parametra që i ka, me këtë mënyrë të ndarjes që e ka, nuk është buxhet zhvillimor në asnjë formë. Projektet e mëdha, të cilat që tri vite kanë stagnuar për to, nuk është ndarë buxhet i mjaftueshëm që të përfundohen as në vitin 2024, pra 83-84 për qind të projekteve janë të bartura nga ky vit dhe vitet paraprake për vitin e ardhshëm, nuk ka projekte të reja 12- 13 për qind”, u shpreh ai.

Ai thekson se nuk ka projekte të reja, të cilat pritet të realizohen në vitin e ardhshëm.

“Projektet të cilat buxheti i cili është ndarë për komunat për investime kapitale është ndarë në mënyrë shumë të padrejtë, jonjerëzore, johumane, jo në rregull për një vend që qeveriset tash prej Qeverisë së vet të zgjedhur me votën e lirë të popullit, të bëjë diferencime të tilla politike në mes komunave, të cilat i ka pushtetin lokal Vetëvendosja, katër komuna dhe jo shumë të mëdha, i marrin më shumë se gjysmën e projekteve të reja kapitale që do të realizohen vitin e ardhshëm, kurse 34 komunat e tjera se 38 janë krejt, i marrin gjysmën tjetër, sa është kjo e njerëzishme e korrekte le të mbetet në ndërgjegjen e këtyre njerëzve që po vendosin dhe po e shfrytëzojnë një mundësi që ia ka dhënë populli”, shtoi Shatri.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri

“E pavërtetë që ka favorizime të komunave”, thotë ministri Murati

Ndryshe, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka cilësuar si dezinformatë analizën e Institutit për Studime të Avancuara (GAP), mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024 për komunat.

Sipas analizës së GAP-it për ndarjet buxhetore, konsiderohet se Qeveria e Kosovës ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga LVV-ja. Mbi 13 milionë janë ndarë për katër komunat që i udhëheq partia në pushtet – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve, mund të them se ia kanë arritur. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Çka nuk trajton ajo analizë, është edhe fakti që edhe projektet e reja i merr vetëm sipas kodit”, ka thënë ministri Murati.

Ministri Hekuran Murati ne Forumin për Qëndrueshmëri dhe Barazi Ekonomike

Instituti GAP i ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2024, duke i krahasuar ato me vitin 2023.

Sipas analizës së bërë nga instituti GAP, thuhet se në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2024, parashikohet një rritje e ngadalësuar e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, me 5% dhe 3% respektivisht, duke arritur në shumën 3 miliardë euro dhe 3.3 miliardë euro.

Po ashtu, gjetjet tregojnë se shpenzimet kapitale planifikohen të rriten më shumë sesa ato rrjedhëse, megjithatë, rritja e planifikuar e tyre është relativisht e ulët krahasuar me vitin paraprak (15%).

“Te kategoria e pagave dhe shtesave planifikohet të ketë rritje prej 59.9 milionë eurosh apo 8%, (kryesisht për shkak të rritjes së vlerës monetare të koeficientit të pagave të sektorit publik nga 105 në 110 euro)”, thuhet në raportin e bërë nga instituti GAP.

Gjithashtu, GAP thotë se edhe këtë vit, Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat që udhëhiqen nga LVV.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika