Ndërmarrja Publike Banesore është ndërmarrja publike e cila ka performuar më së dobëti përgjatë vitit 2022, në raportet e auditimit.
Ndër gjetjet kryesore, ishte ajo që në vitin 2022, NPB-ja performoi me mbi katër milionë euro humbje.
Vetëm një vit më parë, në vitin 2021, e njëjta ndërmarrje kishte performuar me fitim prej mbi një milion euro.
Për këtë dallim kaq të madh, kryeshefi i ndërmarrjes, Artan Berisha, ka një shpjegim.
“Humbja e prezantuar ne nuk ka të bëj me humbje operacionale reale të NPB-së por ka ardhe si pasojë e rregullimeve kontabël dhe nga rregullimi i pasqyrave financiare nga vitet paraprake”, ka thënë Berisha.
Si arsye tjetër, në disa përgjigje me shkrim për Dukagjinin, Berisha ka thënë gjithashtu se në vitet 2019, 2020 dhe 2021, NPB-ja me një vendim të ministrisë së financave për shpronësim, kishte realizuar të hyra në vlerë neto prej rreth 2.7 milionë euro, të cilat ndikuan që edhe fitimi të rritet.
Një gjetje tjetër e auditorit, është edhe ajo se NPB ka lejuar që pasuritë e saj të shfrytëzohen pa kontrata.
Berisha, që morri drejtimin e NPB-së në dhjetor të vitit të kaluar, thotë se akoma nuk e kanë zgjidhur këtë problem.
“Ka raste që qiramarrësit nuk i përgjigjen ftesave tona për vazhdim të kontratave dhe në këto raste NPB SH.A. kushtëzohet që të presë vendimet e organeve kompetente gjyqësore për veprim të mëtutjeshëm, në ndërkohë meqenëse shfrytëzohet prona e NPB vazhdon faturimi për shfrytëzimin e pronës”, ka deklaruar Berisha.
Në listën e gjatë të gjetjeve të auditorit, theksohet gjithashtu se Ndërmarrja Publike Banesore nuk ka rivlerësuar pasuritë e saj.
Ky veprim vlerësohet shqetësues edhe nga shoqëria civile.
“Një gjetje shumë shqetësuese. Sepse mos kryerja e këtij rivlerësimi, ne e dijmë që tregu është duke ndryshuar, ndërsa pasuritë e ndërmarrjes po mbesin të parivlerësuara”, ka deklaruar Valmir Ilazi nga INPO.
Ilazi gjithashtu thekson se vit pas viti në NPB janë duke u përsëritur rekomandimet e njëjta të auditorit.
Ndërmarrja Publike Banesore, si pronë e Komunës së Prishtinës me kapital publik, menaxhon pronat e saja, ku përfshihen banesa, lokale afariste, depo, garazha e troje.