Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka bërë të ditur se janë ndërprerë punët në vendpunishtet që kanë nisur ndërtime pa i përfillur procedurat ligjore si shkak i mungesës së dokumentacioneve.
Kjo ndërprerje e punimeve vlen deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Drejtoria e Inspekcionit nga komuna e Mitrovicës Veriore ka vizituar vendpunishtet në të cilat kanë filluar ndërtimet e objekteve pa përfillur procedurat ligjore. Në mungesë të dokumentacioneve, janë vendosur shiritat me të cilat ndalohet vazhdimi i punëve deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Atiq në Facebook.
Atiq ka inkurajuar qytetarët që t’i përfillin rekomandimet e institucioneve dhe për çdo investim të tyre të plotësohen kriteret të cilat parashihen me ligj, pasi, siç thotë ai, në të kundërtën Drejtoria e Inspeksionit do të veprojë konform ligjeve në fuqi.