Nga autoret, Shqipe Neziri Vela, Erëblina Kaçiu
Tani, më shumë se kurrë, planeti ynë përballet me kërcënimin e pashmangshëm të ndryshimeve klimatike.
Teksa shpesh diskutojmë tranzicionin nga lëndët djegëse fosile në burimet e ripërtëritshme, e anashkalojmë nevojën urgjente për një transformim global të fuqisë punëtore: një rrugëtim drejt një ekonomie më të gjelbër ku gratë dhe burrat në mbarë botën fuqizohen me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme. Kjo përpjekje nuk ka të bëjë vetëm me përvetësimin e aftësive të reja; ka të bëjë me sigurimin e drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes.
Kosova nuk bën përjashtim. Gratë dhe kontributet e tyre të paçmueshme shpesh janë shpërfillur dhe lënë në hije në këtë industri të dominuar nga burrat. Por historitë e grave meritojnë të dëgjohen, festohen dhe promovohen zëshëm.
Dinamika gjinore në sektorin e energjisë së ripërtëritshme
Në nivel botëror, gratë përbëjnë vetëm 32% të fuqisë punëtore botërore të sektorit të energjisë së ripërtëritshme. Ekziston gjithashtu një boshllëk në udhëheqje, me pak gra në poste të larta. Anketa e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2021 për fuqinë punëtore të Kosovës tregoi se vetëm 9.7% e rreth 9,000 punëtorëve/eve në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ishin gra.
Hulumtimet tregojnë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis ndryshimeve klimatike dhe barazisë gjinore. Arritja e barazisë gjinore në sektorin e energjisë së ripërtëritshme mund të ketë ndikime pozitive ekonomike dhe mjedisore, duke e bërë atë një strategji të vlefshme për t’i luftuar ndryshimet klimatike.
Megjithatë, sektori i energjisë së ripërtëritshme në Kosovë është ende në fillimet e veta dhe i dominuar nga burrat. Aktualisht, gratë zotërojnë 0.1% të bizneseve në industrinë e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar në Kosovë. Nga rreth 30 kompani të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, vetëm një kompani në industrinë diellore është në pronësi të një gruaje. Kjo vë në pah nevojën për përpjekje të koordinuara për ta mbështetur përfshirjen dhe udhëheqjen e grave në këtë sektor të rëndësishëm dhe në zhvillim. Për më tepër, sipas të dhënave të publikuara nga ASK, pagat bruto dhe neto në secilin sektor përcaktojnë interesimin ndaj atij sektori.
Në vitin 2021, paga mesatare në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ishte 949 euro bruto, apo 836 euro neto. Pagat në këtë sektor janë më të larta se në çdo sektor tjetër, madje më të larta se në sektorin e informacionit dhe komunikimit, për të cilin shumë besojnë se është sektori me pagat më të larta. Kjo mund të jetë për shkak të faktorëve të tillë si kërkesa për fuqi punëtore të kualifikuar, niveli i specializimit të kërkuar në sektorin e energjisë, ose kushtet specifike të tregut në secilën industri.
Mundësitë dhe pengesat
Angazhimi i grave në punët teknike në sektorin e energjisë së ripërtëritshme pengohet nga presupozimet dhe paragjykimet gjinore. Mundësitë kufizohen më tej nga mungesa e qasjes në arsim dhe trajnime, si dhe nga obligimet për përkujdesje. Gratë vazhdojnë të mbesin të shkurajuara nga ndjekja e karrierës në fushat STEM ― fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës ― si pasojë e stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore. Qasja e kufizuar në arsim dhe trajnime për energjinë e ripërtëritshme pengon më tej mundësitë në karrierën e grave. Politikat përfshirëse gjinore janë të rralla në këtë industri, e cila, siç u përmend më parë, është e dominuar nga burrat, duke e bërë të vështirë për gratë menaxhimin e detyrimeve ndaj punës dhe familjes.
Megjithatë, disa nisma kanë filluar të kenë efekt të dobishëm. Skemat garantuese kreditore si “GROW” dhe programe si “Gratë në Energji” kanë ofruar edukim teknik dhe mbështetje financiare për gratë, duke u dhënë atyre fuqizim institucional. Megjithatë, për t’i larguar pengesat strukturore dhe për të përparuar diversitetin gjinor në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, kërkohen përpjekje të vazhdueshme nga sektori publik dhe privat, si dhe nga organizatat ndërkombëtare.
Gruaja përgjegjëse për sektorin e energjisë, Artane Rizvanolli, është një nga arsyet pse në Kosovë po promovohen dhe po zhvillohet politikbërje dhe politika më të mira lidhur me energjinë e ripërtëritshme dhe efikasitetin e energjisë. Më parë, Rizvanolli ka punuar si hulumtuese dhe këshilltare për analiza ekonomike dhe politikash për organizata vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ligjëruar për punësim, zhvillimin e sektorit privat dhe financat publike në një universitet. Në vitin 2021, ajo përqafoi një sfidë të re profesionale kur u emërua ministre e ekonomisë, duke mbuluar edhe sektorin e energjisë dhe atë të minierave.
Deri më tani, nën udhëheqjen e saj, ministria ka vendosur strategji ambicioze energjetike, që synon uljen e emetimeve të gazrave serrë me 32% dhe rritjen e shkallës së përdorimit të energjisë së ripërtëritshme në 35% në konsumin e energjisë elektrike deri në vitin 2031. Për t’i përmbushur këto synime, po zbatohen disa projekte, të tilla si ndërtimi i një parku diellor 100MW për kompaninë shtetërore të energjisë elektrike, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), shtimi i të paktën 50MW energji termike në sistemin e ngrohjes qendrore të Prishtinës dhe një numër ankandesh për energjinë nga era dhe dielli.
Rizvanolli gjithashtu ka vendosur prioritetet e ministrisë për vitin 2024. Këto përfshijnë një impiant diellor fotovoltaik (PV) 100MW dhe një park të erës 150MW për prodhimin e energjisë elektrike përmes një ankandi për të siguruar konkurrencë dhe çmime konkurruese. Ato përfshijnë gjithashtu zbatimin e Programit Kompakt me MCC, në të cilin do të ndërtohet kapaciteti i baterisë 170 MW, duke lehtësuar integrimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme në rrjet. Këto veprime do të kontribuojnë në përmbushjen e objektivave të strategjisë energjetike dhe do të rezultojnë në një industri energjetike më moderne dhe më të pastër në Kosovë.
Sipas Strategjisë së Energjisë (2022-2031), e cila u zhvillua nën udhëheqjen e Rizvanollit, 9% e punonjësve të sektorit të energjisë ishin gra në vitin 2021. Strategjia synon ta rrisë këtë numër në 11% deri në vitin 2024 dhe të paktën 25% deri në vitin 2031. Kjo është strategjia e parë e energjisë së përgjegjshme gjinore, pasi synon të reduktojë pabarazitë gjinore në sektorin e energjisë. Ndërsa ka ende shumë punë për t’u bërë për të rritur përqindjen e grave në institucione dhe ndërmarrje publike, veçanërisht në pozita drejtuese, 40% e anëtarëve/eve të emëruar/a të ndërmarrjeve publike janë gra që nga viti 2021. Kjo shifër ishte rreth 10% në vitin 2017. Gjithashtu, dy nga pesë anëtarët/et e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji — një nga institucionet kyçe të të gjithë sektorit të energjisë në vendin tonë — janë gra.
Më parë gazetare e njohur e Zëri i Amerikës dhe specialiste e marrëdhënieve me publikun për agjencitë zhvillimore, Demaj ndërroi karrierën në vitin 2018. “E lashë punën në një organizatë ndërkombëtare për t’iu përkushtuar një projekti inovativ në fushën e ekonomisë së gjelbër qarkore, duke kontribuuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit në të cilin jetojmë”, thotë ajo. Ajo themeloi Eco-Kos, aktualisht kompaninë e vetme e licencuar në Kosovë për grumbullimin e vajit të përdorur për gatim, që njihet si UCO.
UCO përbën një të katërtën e të gjithë ndotësve të tokës dhe ujit. Para vitit 2018, në Kosovë nuk kishte asnjë kompani të licencuar për grumbullimin e këtij vaji dhe këto mbeturina hidheshin, pa u klasifikuar, në kanalizime, livadhe, liqene, lumenj e më gjerë, duke i shkaktuar natyrës dëme të mëdha dhe të pariparueshme. Me themelimin e Eco Kos, Demaj ndihmoi në reduktimin e këtyre dëmeve.
Një restorant mesatar i ushqimit të shpejtë prodhon pothuajse 5,800 kg UCO në vit. Vetëm në vitin 2023, kompania e Demaj mblodhi afërsisht 661,773 kg UCO — çfarë prodhojnë mesatarisht 114 restorante në një vit — dhe eksportoi 604,360 kg të saj. UCO, një mbetje e dëmshme, shërben si lëndë e parë për prodhimin e energjisë së rinovueshme, veçanërisht bionaftës. Mbi 2,000 njerëz, duke përfshirë biznese dhe individë që bashkëpunuan me të, kanë përfituar financiarisht, pasi Eco Kos blen mbeturinat e UCO nga hotelet, restorantet dhe prodhuesit e tjerë.
Ajo ka vendosur një shembull të shkëlqyeshëm të transformimit të mbetjeve, të cilat dikur trajtoheshin në mënyrë lineare — merr, shfrytëzo dhe gjuaje — në një produkt të procesit qarkor të ekonomisë së gjelbër — merr, përdor, riciklo dhe shndërroje në lëndë të parë produktive.
Teksa ajo filloi si gruaja e vetme në kompani, kompania e saj tani ka nëntë punonjës/e, katër prej të cilave janë gra. Ajo po angazhohet për rritjen e numrit të grave që punojnë në riciklimin. Ajo ofron mentorim vullnetarisht për studentët/et që duan ta ndjekin një karrierë në energjinë e gjelbër.
Gentiana Alija ka studiuar për inxhinieri në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku shpejt e vërejti se kishte një numër disproporcionalisht të vogël të grave inxhiniere në krahasim me burrat. Me situatë të ngjashme u përball kur filloi praktikën në një kompani private të energjisë, në një industri kryesisht të udhëhequr nga burrat; inxhinierët, shumica burra, instalues të energjisë së ripërtëritshme, erës dhe diellit, të gjithë burra.
Kjo është njëra nga arsyet kryesore pse Alija vendosi ta krijojë kompaninë e saj në vitin 2021, duke u bërë kështu gruaja e parë në fushën e energjisë diellore. Në vitin 2021, ishin të regjistruara 12 kompani, ndërsa në vitin 2023, në Kosovë ishin të regjistruara mbi 25 kompani të energjisë së ripërtëritshme. Megjithatë, vetëm një nga to drejtohet nga një grua.
Në tri vjet, ekipi i Alijas është rritur në tetë persona. Kompania e saj projekton dhe instalon sisteme diellore fotovoltaike (PV) që prodhojnë energji elektrike, si për familjet ashtu edhe për bizneset brenda dhe jashtë Kosovës. Duke udhëhequr projektimin dhe instalimin e termocentraleve diellore në të gjithë Evropën, ajo jo vetëm që ka lehtësuar tranzicionin drejt energjisë më të pastër, por gjithashtu ka pasqyruar potencialin për praktika të qëndrueshme në industri. Sipas Alija, me mbi 1 MW energji diellore të instaluar, ajo ka reduktuar emetimet e CO2 me 306,000 kg dhe minimizuar emetimet e pluhurit nga termocentralet me qymyr me 500 kg, baras me mbjelljen e 13 pemëve në vit.
Ajo aktualisht punon me katër kompani ndërkombëtare. Angazhimi i saj për barazinë gjinore vërehet në ekipin e saj inxhinierik, i cili përbëhet tërësisht nga gratë, duke dhënë shembull të fuqishëm për përfshirje dhe përfaqësim në fushat STEM. Përpjekjet e kompanisë së saj kanë sjellë përfitime të prekshme për bizneset dhe familjet, duke lehtësuar barrën e kostove të energjisë dhe duke kontribuar në qëndrueshmërinë e komuniteteve që përballen me krizë energjetike. Ajo po ofron vullnetarisht trajnime për studentët/et e universitetit në fushën e planifikimit dhe ekzekutimit diellor dhe po ofron mundësi për praktikë për gratë e reja që janë dëshirojnë ta ndjekin karrierën e tyre në sektorin e energjisë.
Rruga përpara
Çfarë mësimesh mund të marrim nga përvojat e këtyre pionereve? A mjafton një grup grash për të bërë ndryshim në industrinë e energjisë?
Dokumenti kryesor i politikave në sektorin e energjisë ka vendosur një objektiv prej 25% rritje të pjesëmarrjes së grave në këtë sektor deri në vitin 2031. Pika fillestare duhet të jetë mbledhja e të dhënave. Mbledhja e informacionit përpara zbatimit të politikave konsiderohet një bazë kyçe për një vendimmarrje efektive. Përqindja e saktë e grave që punojnë në sektorët e energjisë dhe të ngjashëm nuk dihet.
Të dhënat e ndara sipas gjinisë do t’u ofrojnë politikbërësve/eve njohuri të dobishme për gjendjen aktuale të industrisë së energjisë dhe do t’u mundësojnë atyre t’i kuptojnë më mirë sfidat, nevojat dhe prioritetet e këtij sektori. Kjo gjithashtu u lejon atyre të bëjnë parashikime reale dhe të sakta të suksesit të ndërhyrjeve. Statistikat efektive gjinore dhe mbledhja e të dhënave duhet të përdoren për ta mbështetur pjesëmarrjen gjinore në të gjitha nivelet e politikave.
Përveç kësaj, krijimi i mundësive arsimore është qenësor për çrrënjosjen e stereotipeve gjinore. Inkurajimi i programeve STEM dhe të lidhura me energjinë, sigurimi i mbështetjes financiare dhe ngritja e programeve të mentorimit janë masa qenësore për t’u dhënë grave më shumë mundësi. Tashmë një shembull të mirë ka dhënë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ministria ka krijuar një program që jo vetëm inkurajon gratë të studiojnë dhe të punojnë në fushat STEM, por gjithashtu ndihmon në largimin e paragjykimeve gjinore që mund t’i shkurajojnë gratë të ndjekin një karrierë në industrinë e energjisë. Zhvillimi i rregulloreve të vendit të punës që përfshijnë gjininë është qenësor për krijimin e një atmosfere ku gratë përparojnë. Kjo kërkon sigurimin e politikave të gjera të pushimit prindëror, zbatimin e orareve fleksibël të punës dhe garantimin e pagave të barabarta.
Veprime të tilla e bëjnë të qartë se industria e energjisë së ripërtëritshme po ecën drejt vlerësimit dhe inkurajimit të përparimit të karrierave të fuqisë punëtore tek gratë. Në Kosovë, fuqizimi i grave në industrinë e energjisë së ripërtëritshme është qenësor për arritjen e barazisë gjinore, luftimin e ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike. Ne duhet t’i fuqizojmë zërat e tyre dhe të krijojmë një të ardhme ku barazia gjinore dhe energjia e qëndrueshme ndërthuren, duke nxitur përparimin për brezat që do të vijnë.
Artikulli nga: Kosovo 2.0