“Ndodhin këto raste, kanë ndodhë edhe më përpara dhe nuk kemi çfarë të bëjmë tash”.
Këtë deklarim e ka dhënë para policisë në Pejë, Urim Hyseni, disa orë pasi vrau mizorisht nënën e tij.
Në këtë mënyrë, 30 vjeçari në polici e ka pranuar veprën të cilën e ka kryer.
Megjithatë, ai nuk ka qenë kaq i qartë edhe në Gjykatë, kur është mbajtur seanca për caktim të masës së paraburgimit.
“I pandehuri Urim Hyseni, në fillim të seancës dëgjimore u pyet për të dhënat e tij personale, por i njëjti nuk ishte në gjendje që të ofroj të dhëna të sakta”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.
Këto detaje janë zbuluar në aktvendimin e Themelores së Pejës për caktim të paraburgimit ndaj Hysenit, i cili është siguruar nga Televizioni Dukagjini.
Në këtë seancë, i pranishëm ka qenë edhe eksperti i psikiatrisë, dr. Nystret Pepaj, i cili ka thënë se dyshon se Hyseni vuan nga një sëmundje.
“Sëmundja për të cilën po dyshon se mund të jetë i lartpërmenduri (çrregullim psikotik), nuk ka ndikim në zvogëlimin e inteligjencës së tij, me çka kur është jashtë afektit të sëmundjes i kupton të gjitha, si dhe deklarohet normal. Kur është nën afektin e këtij çrregullimi atëherë veprimet e tij janë të tjera”, thuhet në aktvendim.
Në aktvendim është theksuar se Urim Hyseni, para se ta kryente vrasjen e kishte nxjerrë një biletë për të shkuar në Gjermani.
“I pandehuri posedon leje qëndrimi në shtetin gjerman, ku jeton e punon, për më tepër kishte nxjerrë biletën për t’u kthyer të mërkurën më datë 19.04.2023. Janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset”.
Tutje, tregohet se pas vrasjes së nënës, Urim Hyseni i kishte sulmuar me thikë edhe babain dhe hallën e tij.
Në këtë seancë është konfirmuar se do të dëgjohen si dëshmitarë okular gruaja e axhës e cila jeton ngjitur me shtëpinë e të pandehurit, si dhe babai i tij. Përveç tyre, do të dëgjohet edhe ish-gruaja e Hysenit, e cila jeton në Gjakovë.
Në aktvendim është theksuar se të lehtë përfaqësimin juridik nuk e kishte as avokati i Urim Hysenit, Asdren Mekaj, i cili u caktua si mbrojtës në bazë të detyrës zyrtare.
“Pozita e tij si mbrojtës ka theksuar se është më e vështira nga secili prej nesh, jo pse i mungon përgatitja për të kundërshtuar një kërkesë të ligjshme të prokurorisë, por për shkak se e ka të vështirë të përcaktohet se me cilin propozim, më shumë i kontribuon drejtësisë”, theksohet në aktvendimin e gjykatës.
Urim Hysenit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.