Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten e 17 marsit, një ngasës i kamionit në Prizren, ka ndotur rrugën me rrotat me baltë dhe është gjobitur me gjobë.
“Ne si qytetar duhet te kujdesemi për veç te tjerash, edhe mirëmbajtjen dhe pastërtinë e ambientit ku jetojmë, ngasësit e automjeteve me ‘Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor’ (05/L-088), i cili është në fuqi, e kanë obligim që të kujdesen që të mos ndotin rrugët dhe duhet të kujdesen që të pastrohen rrotat në rast se automjeti del nga punishtja apo rruga me baltë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftimin e PK-së thuhet se ligji në fjalë është “Neni 44 , Hyrja nga rruga dytësore e paasfaltuar”, i cili thotë se “Shoferi i cili me mjet hyn nga rruga e dheut në rrugë me rrugë të shtruara duhet ta ndalë mjetin dhe ta heqë baltën nga rrotat“.
“Por një ngasës kamioni në Prizren nuk është kujdesuar për këtë , andaj me datë 17.03.2023 ngasësit në fjalë i shqiptuar një gjobë për shkak të ndotjes së asfaltit me rrotat me baltë”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.
“Policia e Kosovës bën thirrje të gjithë ngasësve dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion, që të kujdesën për sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë, por të kujdesën edhe për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e ambientit, respektojeni rregullat dhe ligjet në fuqi”, njofton Policia e Kosovës.