Temperaturat që kanë shënuar ngritje, pothuajse gjithmonë shkaktojnë problem për qytetin e Kaçanikut.
Kjo pasi, ujërat e zeza nga e gjithë komuna dhe fshatrat përreth, përfundojnë në lumin Nerodime, lum ky i cili përshkon këtë qytet.
Por, sipas përfaqësuesit të organizatës për mjedisin “Gjethi” Remzi Reka, përveç ndotjes brenda qytetit, ndotje shkaktojnë edhe ujërat e zeza që derdhen në komunën e Ferizajt.
“Problemi ujërave të zeza përfshin komunën e Kaçanikut qe nuk e ka bërë rrjetin e kanalizimit e problemi tjetër është edhe i komunës së Ferizajt e cila na i lëshon kanalizimet komplet, i derdh në lumin Nerodime,” u shpreh Remzi Reka nga Organizata Gjethi.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Kaçanik, Ramadush Osmani thotë se kanë planifikuar ndërtimin e kolektorëve dhe impiantit për ujëra të zeza.
Osmani tregon se për impiantin e ujërave të zeza në Ferizaj kanë ndarë një parcelë, por që ky projekt nuk u realizua asnjëherë.
“Në bashkëpunim me komunën e Ferizajt e cila ka planifikuar ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave fekale që rrjedha natyrore i derdh në lumin Nerodime, përmes kuvendit komunal kemi ndarë parcelen, që përshkon komunën e Kaçanikut dhe pastaj çështja e ndërtimit të impiantit i takon komunes së Ferizajt… Në fund të qytetit planifikojmë ta ndërtojmë edhe ne si komunë një impiant për trajtimin e ujërve të zeza,” u shpreh Drejtori i Shërbimeve Publike, Ramadush Osmani.
Drejtori i Urbanizmit në komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, sqaron se impianti ka qenë projekt i financuar nga Qeveria hungareze.
Mirëpo sipas tij, shkaku i neglizhencës së Ministrisë së Financave kundrejt Qeverisë Hungareze, projekti është pezulluar.
“Ky projekt që ka filluar qysh në vitin 2016 me qeverinë Hungareze dhe ne si komunë i kemi kryer të gjitha procedurat çka është kërkuar që ky projekt të përfundoj… Deri tash fatkeqësisht nuk kemi asnjë informatë zyrtare nga Qeveria e Kosovës se në cilen faze ndodhet projekti i impiantit të ujërave te zeza. Sipas informatave jozyrtare ky projekt ka ngecur për shkak se Ministria e Financave nuk i ka dërguar shkresat e nevojshme Qeverisë Hungareze për finalizimin e procedurave të kredisë,” u shpreh drejtori i urbanizmit, Arbër Bytyqi.
E Kenan Gashi nga organizata Avonet thotë se ky projekt ka një rëndësi jetike, dhe dështimi i realizimit të tij është një humbje e madhe për komunën e Ferizajt.
“Dihet që projekti ka një rëndesi të jashtëzakonshme sepse këto ujëra të zeza shkaktojne dëme ekologjike poashtu edhe u shkaktojnë edhe dëme shëndetsore këtyre banorëve te pjeseve derrmuese te komunes se Ferizajt dhe ate te Kaçanikut,” u shpreh Gashi.
Në vitin 2018, Ferizajt i ishte konfirmuar projekti i ndërtimit të impiantit nga ana e Ministrisë së Financave, projekt ky i cili ishte paraparë të ndërtohej përmes huamarrjes së butë në bashkëpunim me Qeverinë Hungareze.