Policia e Kosovës nuk ka qasje në kamerat e sigurisë që janë të vendosura në komunat veriore. Zyrtarë të saj kanë thënë se për to duhet të pyeten komunat sepse ato i kanë vendosur derisa ekspertët e sigurisë kërkojnë që të sekuestrohen të njëjtat, sikurse në Shtërpcë sepse ka dyshime që kanë qasje strukturat paralele në to.
Aksioni i së enjtes i Policisë për sekuestrimin e kamerave, ndaloi vëzhgimin e qytetit të Shtërpcës nga strukturat paralele në këtë komunë.
Por, një veprim i tillë nuk u bë edhe në komunat veriore të Kosovës.
Në hyrje të komunës së Zveçanit, ka të vendosura kamera. Pak më larg nga ky lokacion, shihet edhe një tjetër.
Policia e Kosovës, nuk kanë dhënë shumë detaje për këtë.
Besim Hoti nga Policia e Veriut të Kosovës, ka thënë nëpërmjet telefonit se për qasjen e këtyre kamerave duhet të pyesim ne komunat veriore, pasi që policia nuk ka qasje.
Të tilla kamera ka edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut.
Mirëpo, shoqëria civile në këtë komunë nuk ka ndonjë informatë se kush mund të ketë qasje.
Miodrag Milićević nga organizata NGO Aktiv ka thënë: “Ne nuk e dimë se kush me të vërtetë operon me këto kamera dhe se kush ka qasje në to, por unë mendoj se jo vetëm këto kamera në veri por në terë territorin e Kosovës duhet të shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve, e jo për ndonjë qëllim tjetër. Një gjë që mund të jetë pozitive nga këto është edhe ndalimi i veprave kriminale dhe identifikimi i tyre.”
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë se gjithë këto kamera janë të vendosura pa leje të institucioneve të Kosovës dhe të njëjtat duhet të sekuestrohen.
Dyshimet janë se pamjet e këtyre kamerave që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve publike të Republikës së Kosovës janë bartur më pas në Serbi.