“Në qeveritë e kaluara është hapur shampanja, janë deklarata të pamatura, janë nxituar duke thënë se dje është bërë liberalizimi i vizave”, kështu ka thënë Mehdiu Sejdiu, këshilltar për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
Sejdiu ka thënë se Kosova veç se është tashmë drejt liberalizimit të vizave, sepse sipas tij, qasja ndaj dialogut Kosovë-Serbi ka ndryshuar edhe nga ndërkombëtarët.
Ai ka thënë se edhe Parlamenti Evropian sot ka vlerësuar për herë të parë se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”e jo siç ka qenë më herët për normalizim të marrëdhënieve.
E për këtë ndryshim të diskursit për Kosovën në Bashkimin Evropian, ai ka thënë se është meritë e Qeverisë Kurti.
I ftuar në emisionin “Five”, ai ka thënë se kjo është si rezultat i përqafimit të vlerave evropiane nga Kosova.
“Besoj që në një masë të madhe edhe reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pas 24 shkurtit për tu rreshtuar me vendet perëndimore me sanksionet ndaj federatës ruse, si dhe dhe që kemi shprehur vullnetin për të pasur refugjatë në Kosovë, kanë ndikuar që pozicioni i Kosovës të duket më mirë, e Qeveria jonë të duket si qeveri reformiste”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka thënë se qasja e kësaj qeverie dallohet me qeverisjet e kaluara në lidhje me këtë çështje.
Franca është e kënaqur me të arriturat e Kosovës
Sejdiu ka thënë që pala franceze është e kënaqur me të arriturat e Kosovës, sepse ka pasur luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Sipas tij, Franca dhe Holanda, nuk janë skeptike vetëm për çështjen e vizave për Kosovën, ato janë skeptike për çdo lloj zgjerimi në BE.
“Prej vitit 2018 është në tavolinë të këshillit, liberalizimi i vizave, ministria e brendshme ka qenë mjaft aktive së bashku me Sveçlën, palët franceze janë të kënaqur me punën në Kosovë, është rritur numri i konfiskimeve, është ulur numri i azilkërkuesve, migrimi i parregullt është menaxhuar mirë, 13,4% është rritur numri i ndërhyrjeve policore, 85% për shkak të korrupsionit dhe krimeve”, ka shtuar Sejdiu.
Sipas tij, i gjithë ky progres në shumë fusha, i është transmetuar palës franczeze dhe palëve tjera.
“Sepse gjithmonë kanë thënë luftone korrupsionin dhe krimin e organizuar, 95 kritere që janë plotësuar, këto shifra janë të jashtëzakonshme, që besohet nga çdo qeveri e BE-së, ne kemi pasur progres, kur cdo vend tjetër ka pasur regres”, ka theksuar ai.
Sipas tij, në qeveritë e kaluara është hapur shampanja dhe është nxituar me dhënien e deklaratave të pamatura sa i përket çështjes së vizave.
“Ne do të punojmë shumë për të adresuar cdo lloj brenge për liberalizim të vizave, jo vetëm me Francën e Holandën, sepse më 16 maj ka qenë përpjekja jonë diplomatike për të ngritur diskursin për liberalizim të vizave”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet për aplikim në Partneritetin për Paqe të NATO-s, po pritet që të nënshkruhen katër marrëveshjet e Berlinit dhe përgatitjet po bëhen për anëtarësim në Bashkimin Evropian(BE).
“Jemi duke punuar, që pas gjashtë vjetësh zbatimit të MSA-së, të aplikojmë, sese procedura e aplikimit, shkon që fillimisht të pranohet një pyetësor, që përmban shumë faqe, Kosova për shkak të përmbushjes së MSA dhe ERËS, nëse e pranon një pyetësor të tillë është gati që të raportojë për vendin”, ka përfunduar Sejdiu.
Ndryshe, të martën e 14 qershorit, me 43 vota pro, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, ia ka dhënë dritën e gjelbër raportit për Kosovën, me anë të cilit kërkohet heqja e vizave.
Po ashtu edhe Ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, të martën, gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka thënë se Kosovës duhet të ju liberalizohen vizat, po ashtu ai ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje.