Familjarët e luftëtarëve, me rastin e 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kanë kujtuar momentet me të cilat janë përballur gjatë dëbimit të tyre nga vendi.
Xhevat Shkreta, ka thënë se fluksi i refugjatëve ka qenë i madh. Sipas tij mbi tetë mijë refugjatë ishin fëmijë, gra dhe të moshuar.
“Koha e atëhershme e çlirimit ka qenë tmerr i madh. Ka qenë fluks i madh i refugjatëve, ka pasur me mijëra njerëz, mbi 8000 refugjatë, fëmijë, gra dhe të moshuar. Deportimi ka filluar në stacion të Han Elezit”, ka thënë ai.
Teksa ka kujtuar se gjatë kohës së largimit nga vendi, ka thënë se trenat kontrolloheshin nga policia serbe, teksa shtoi se bëheshin malltretime të shumta.
“Trenat kontrolloheshin nga Policia e Serbisë, i kanë përcjellë në këmbë dhe kalonin këtë pjesë ku ka qenë mbas vagonëve. Ka pasur maltretime të shumta. Ka pasur njerëz edhe me vetura të tyre, por të gjithë i kanë zbritur. Ky vend në përgjithësi ka qenë i minuar. Kemi përjetuar edhe njerëz që kanë ra në mina, ka qenë tmerr i madh”, shtoi Shkreta.
Në anën tjetër, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mirvat Luta, ka treguar se ka pasur luftime të ashpra në Bllacë, ku pjesa më e madhe ishte djegur dhe banorët ishin detyruar të largohen.
“Gjatë kohës së luftës 1999, kam qenë në fshat, ku kemi jetuar shumica e banorëve të fshatit. Më 27 shkurt deri më 24 mars ka pasur luftime të ashpra në fshatin tonë, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me policinë e ushtrinë serbe. Ne ato momente i kemi përjetuar shumë rëndë. Ka pasur viktima. Fshati ynë ka qenë 98 për qind i djegur. Nuk ka mbetur asgjë aty”, ka thënë Luta, për KP.
“Më 9 mars jemi tërhequr nga fshati, ka pasur rreth 800 banorë dhe jemi larguar në drejtim të magjistrales Kaçanik-Han i Elezit dhe aty na kanë marrë forcat serbe, i kanë ndarë burrat nga gratë dhe i kanë dërguar disa në stacionin e policisë ku i kanë keqtrajtuar, gratë i kanë dërguar në shtëpi të kulturës ku i kanë keqtrajtuar. OSBE-ja ka pasur ndikim të madh në atë kohë. Me ndihmën e tyre banorët në stacionin e policisë janë liruar si dhe gratë në shtëpi të kulturës”, shtoi ai.
23 vjet më parë në Kosovë ishin vendosur 50 mijë ushtarë të NATO-s, duke i dhënë fund luftës në Kosovë.
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës 78-ditore ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe.
Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Sadriu dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 23-vjetorit të vendosjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
“Duke falënderuar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, i cili mbi të gjitha, e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës duke ndërtuar ura miqësie që i shërbejnë vullnetit të Kosovës për të ecur përpara”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi Rugovën si një intelektual dhe racionalist të shquar, të karakterizuar me një humanitet dhe qetësi në politikë. Kurti ka përmendur edhe angazhimet e institucioneve të Kosovës ndaj krimeve të Serbisë gjatë kohës së luftës.
“Ne nuk e harrojmë kurrë të kaluarën. Do të insistojmë e do të angazhohemi për drejtësi për të gjitha vuajtjet dhe humbjet e Kosovës”, ka thënë Kurti, gjersa ka shtuar se “populli i Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe si i tillë, e ka të sigurt një të ardhme të mirë”.
Osmani dhe Kurti kanë bërë homazhe edhe te varri i veprimtarit, Adem Demaçi.