Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se ka vizituar dy nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, në Hagë, në përvjetorin e 30-të të themelimit të UÇK-së.
Krasniqi ka theksuar se vizita e tij u bë në një ditë ku u nderuan heroizmi dhe sakrificat e këtyre liderëve, si dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Këta udhëheqës, krahas patriotëve të panumërt, sakrifikuan gjithçka që Kosova të merrte frymë lirie. Me të njëjtin zjarr në shpirt, ata sot qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit tonë. Duke mbrojtur luftën e popullit tonë për liri”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai vlerësoi qëndrueshmërinë dhe forcën e Thaçit dhe Veselit, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të mbajnë peshën e historisë dhe shpresat e popullit të Kosovës, duke mbrojtur luftën për liri.
Përmes këtij mesazhi, Krasniqi ka bërë thirrje për vazhdimin e misionit të ndërtime të një Kosove më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë.
“Forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë”, ka shkruar mes tjerash ai.
“Në këtë ditë të veçantë, kur kujtojmë UÇK-në dhe të gjithë ata që bënë sakrificat më të mëdha për lirinë tonë, qëndrojmë pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe çdo patrioti që barti flakën e luftës çlirimtare”.
Ai përfundoi postimin me fjalët: “Dielli do të lind përsëri!”, duke shprehur besimin e tij të fortë në drejtësinë për ata që luftuan për lirinë e vendit.