Dorjan Krasniqi, psikolog dhe Genc Xërxa, sociolog, janë të ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull” për të diskutuar ndikimin social dhe psikologjik të tri vrasjeve për gjashtë ditë në shoqërinë tonë.
Genc Xërxa, në lidhje me aspektin sociologjik, ka diskutuar rreth komponentëve që ndikojnë në shpërfaqjen e këtij fenomeni.
Komponent kryesor të shpërfaqjes së këtij fenomeni, sipas Xërxës, janë “siguria pubike, shëndeti mendor, komponenta e faktorëve socio-ekonomik dhe shpërfaqja e dhunës që ka tendencë të ekzagjirimit në shoqërinë tonë”.
“Sa i përket sigurisë publike, numri i madh i armëve brenda shoqërisë tonë është kërcënim direkt i sigurisë sonë publike, armëve, qoftë me leje apo pa leje. Disponimi i madh i armëve, potencialisht, është rrezik për sigurinë publike”, ka sqaruar Xërxa rreth aspektit sociologjik të sigurisë publike në vendin tonë.
Tutje, ai ka shtuar se pandemia e COVID 19 ka ndikuar duke shkaktuar pasiguri të mirëqenies ekzistenciale që lëjnë pasoja në shëndetin mendor. Me këtë rast, tutje ka thënë se edhe pasiguria e një vendi të punës, qoftë pas përfundimit të studimeve nuk ke një vend të punës, “krijon një shqetësim, një jo shpresë dhe jo perspektivë”.
Si faktor tjetër, sipas Xërxës, është edhe “shpërfaqjen e dhunës në rrjetet sociale, ku aty përdoren gjuha, linçime, kërcënime me eliminim.
Kjo shpërfaqje e dhunës transmetohet edhe nëpër media të ndryshme qoftë në emisione të ndryshme, filma ku krijohet si një vlerë apo normë, ose në klipe të këngëve ku shprehet një stil si gangsta, apo edhe në tekste që janë në forma eksplicite, ku mundet të ndikohen të rinjtë qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme”.
“Institucionet e Kosovës duhet të jepen vëmendje të mëdha që këto fenomene të këqija të mund të eliminohen”, ka thënë Xërxa.
Ndërsa, psikologu Dorjan Krasniqi ka thënë se përpos faktorëve të lartcekur, ndikojnë edhe faktorët si mënyra e jetesës, jeta apo edhe traumat e lindjes tek individët që çojnë deri te vrasja apo marrja e një jete.
Krasniqi bëri të ditur më shumë detaje që e dërgojnë një individ qoftë edhe deri te akti më i fundit, vrasja, “ndodh te personat që sidomos kur janë të kërcënuar ose edhe kur kërcenojnë dikë, sistemi nervor është gjithmonë në gatishmëri ose në luftë dhe në momentin kur ngjarja ndodh informacioni nuk shkon te mendimi, por vetëm te veprimi”.
Por, në rast se ngjarja zhvillohet e pamenduar apo aksidentalisht, njëri nga faktorët kryesor që aktivizohet është sistemi i luftës apo mbijetësës, ka theksuar Krasniqi.
“Në momentin që neve na kërcënohet ekzistenca dhe integriteti qoftë fizik apo psikik, së pari është njëlloj i treguesit të madh që mund të sjellë edhe ankth apo pasiguri, të gjitha këto raste që ne i dëgjojmë edhe të dhunës së thjeshtë verbale ose dhunës fizike, vrasjeve apo kërcënimeve. Na kërcënojnë indirekt në sigurinë tonë dhe që mund të na sjellë simptoma të ankthit, çregullime të ankthit, depresionin, e që rëndojnë shëndetin tonë mendor. Klubet e natës apo edhe çdo gjë tjetër, duhet të marrin persona që dijnë për me menaxhu dhe ofru siguri publike”, ka shtuar Krasniqi në lidhje me aspektin psikologjik që mund të ndikojnë tri vrasjet e fundit në Kosovë.