Në 80 vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, Kurti: Njeri i librave dhe njeri i burgut – i jetës dhe lirisë

"Ishte burgu i tij i tretë dhe kishte jo më pak burgje që i kishte ndërruar sa universitete në të cilat kishte studiuar. Njeri i librave dhe njeriu i burgut, por edhe njeri i jetës dhe lirisë. Profesor Ukshin Hoti e ka bërë lidhjen organike midis republikës, demokracinë dhe Evropës për shqiptarët"

Në 80 vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, Kurti: Njeri i librave dhe njeri i burgut – i jetës dhe lirisë

Ukshin Hoti ishte shumë i nderuar dhe i dashur prej popullit. Ai kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme dhe serbët mezi s’kanë pritur ta likuidojnë atë dhe të tjerët që do të mund ta mobilizonin popullin për të bërë atë që i takonte popullit shqiptar.

Kështu u tha në ceremoninë e shënimit të 80- vjetorit të lindjes së veprimtarit Ukshin Hoti, organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

Aty, përveç që u vlerësua jeta, vepra dhe kontributi i Ukshin Hotit, u dhanë edhe detaje nga dita e lirimit nga burgu dhe kidnapimit dhe zhdukjes së tij pas 10 minutave.

Para të pranishmëve, kryeministri Albin Kurti tha se Ukshini me angazhimet e tij, mendimet, jetën dhe veprën e tij është i papërsëritshëm.

“Nuk ka ditë të vdekjes sepse njeriu 80 vjeç mund të jetë gjallë, por nuk ka ditë të vdekjes edhe për shkak se është i pagjetur. 24 vjet pas përfundimit të luftës, ne e kemi ende të freskët 16 majin e vitit 1999, kur ai u lirua nga burgu për të mos u gjetur më. Ishte burgu i tij i tretë dhe kishte jo më pak burgje që i kishte ndërruar sa universitete në të cilat kishte studiuar. Njeri i librave dhe njeriu i burgut, por edhe njeri i jetës dhe lirisë. Profesor Ukshin Hoti e ka bërë lidhjen organike midis republikës, demokracinë dhe Evropës për shqiptarët“, tha Kurti.

Sipas tij, profesor Ukshin Hoti ka thënë se bashkimi i shqiptarëve guri provues edhe i Evropës së bashkuar.

“Ne ishim gjithsej 5 mijë pengë lufte në qershorin e vitit 1999, rreth 2 mijë prej nesh në burgjet zyrtare, 3000 mijë të pagjetur, ndërkaq më shumë se gjysma e tyre janë të pagjetur sot e kësaj dite dhe nga një dakordim që kemi bërë në Bruksel me palën tjetër për çështjen e të pagjeturve , duke u bazuar në të, djali i Ukshin Hotit, Andini i ka dërguar letër presidentit të Serbisë ku kërkon hapjen e arkivave për të mësuar të vërtetën. Na duhet e vërteta, na duhet përgjegjësia, na duhet drejtësia“, tha Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se nuk dinë ndonjë patriot dhe intelektual, i cili të ketë kontribuar më shumë në rrafshin politikë, konceptual më shumë se sa Ukshin Hoti.

“Konceptet e tij të cilat kanë qenë aq shumë thellë të mishëruara me vet veprimtarinë e tij konkrete dhe me jetën e tij të përditshmërisë të cilën aq thellë e ka ndarë me kombin dhe popullin e vet, vërtet të mundohem të kujtohem por nuk di ndonjë rast tjetër që është i bashkëmatshëm me jetën dhe veprën e Ukshin Hotit“, tha ai, duke thënë se ai mbetet i pakrahasueshëm dhe duhet studiuar vazhdimisht.

Ai shtoi se sapo e lëshuan nga burgu, pas 10 metrave e priti rrëmbimi dhe me këtë e dha edhe jetën e tij.

Kurse, akademik Rexhep Qosja kujtoi katër takimet që kishte me Ukshin Hotin, për të cilin tha se kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme.

Akademik Qosja tha se Vasa Çubriloviq i ka dy projekte për dëbimin e shqiptarëve prej Kosovës, por ka edhe vepra të shkruara historike, ku merret edhe me shqiptarët e ku paraqet edhe disa mendime për organizimin e dëbimit të shqiptarëve, e ku thotë se fillimisht duhet zhdukur kokat e shqiptarëve, siç janë njerëzit e pashëm, pastaj ata që kanë shumë autoritet dhe të mençurit.

“Ukshin Hoti ishte njeri që i plotësonte këto kërkesa të Vasa Çubriloviq për t’u zhdukur plotësisht, për të mos ekzistuar sepse me ekzistimin e tij, ekzistonte një ndikim dhe një mobilizim i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për të bërë atë që donë populli ta bëj. Ukshin Hoti ishte i hijeshim. Ukshin Hoti ishte shumë i nderuar dhe shumë i dashur sidomos prej të rinjve, popullit. Ukshin Hoti kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme, ishte njeri që nuk shihte deri te kthesa e parë por shihte edhe lartë më tutje dhe tash ata çka bën nuk e dimë, por me keqardhje më të madhe, me dëshpërimin më të madh mund të themi se mezi s’kanë prit t’i likuidojnë Ukshin Hotin dhe të tjerët që do të mund ta mobilizonin popullit për të bërë atë që i takonte popullit shqiptar“, tha ai.

Andini, djali i Ukshin Hotit tha se shënimi i sotëm i 80 vjetorit të babait të tij e realizojnë një dëshirë të tij të kamotshme, pasi babai i tij ka pas vetëm ditëlindje.

“Ne vazhdojmë të shpresojmë që drejtësia e munguar tash e sa vite do të vihet në vend. Duke u munduar që ta zhdukin Ukshin Hotin, në fakt ata këtë nuk e bën, atë e përjetësuan. Ai jeton me ne, ai jeton këtu, jeton në çdo shtëpi të çdo shqiptari dhe sot ne udhërrëfehemi prej veprave të tij për shtet ndërtim dhe për zhvillim“, tha ai.

Enver Dugolli, i cili ishte bashkë me Ukshin Hotin në burgun e Dubravës, dha kujtime nga momentet dramatike që kaluan. Ai kujtoi edhe si e nxorën nga pavijoni B.

“Në nxitim e sipër ata e morën. Baca Ukë i qoi duart sepse nuk kishte kohë të përshëndetur me secilin, djem tha mbahuni të fortë sepse shumë shpejt do të shihemi, doli baca Ukë, hije rënd, kurrizin drejt dhe shikimin lartë. Dhe ne do të shihemi me bacën Ukë ose në këtë botë ose në botën tjetër sepse është premtim i tij”, tha ai.

Përndryshe, me aktivitete të ndryshme është shënuar sot 80 vjetori i lindjes së profesor Ukshin Hotit. /KSP

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika