Në ditën e fundit të vitit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Punëvë të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vizituar pikën kufitare në Bërnjak
Këtë e ka bërë të ditur, Osmani në një postim në rrjetin social Facebook, ku a thënë se i kanë vizituar zyrtarët e policisë në Jasenovik e Bërnjak, si dhe kampin “Belevdere”.
“Në prag të ndërrimit të motmoteve, vizituam policët tanë në pikën kufitare në Bërnjak, bazat policore në Jasenovik e Bërnjak si dhe në kampin ‘Belvedere”’, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani duke jau uruar Vitin e Ri i ka falënderuar policët për shërbimin dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe qytetarëve pa dallim.
Po ashtu, ajo ju ka dhënë atyre Medaljen Presidenciale për Siguri si shenjë vlerësimi për punën e bërë.
“Së bashku me Ministrin Sveçla, i falenderuam për shërbimin e tyre ndaj vendit, në mbrojtje të sovranitetit tonë e për siguri të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Si shenjë të këtij vlerësimi, kam dekoruar njësi e zyrtarë policor me Medaljen Presidenciale për Siguri. Poashtu, të gjithë pjesëtarëve të policisë u uruam Vitin e Ri 2023 me dëshirën për shëndet për ata e familjet e tyre si dhe për suksese të mëtejme për Republikën tonë”, ka shkruar tutje ajo.
Ndërkaq, kujtojmë se, kjo vizitë e presidentes Osmani në Bërnjak vjen vetëm një ditë pas largimit të të gjitha barrikadave në veri, dhe rikthimit në punë të kësaj pike kufitare dhe asaj në Jarinje të cilat ishin jashtë funksionit.