Aksidentet janë ngjarje që zënë vend dhe hapësirë të madhe në përditshmërinë tonë dhe si të tilla ngjarje po rriten çdo ditë.
Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2023 në Kosovë kanë ndodhur 2 mijë e 729 aksidente.
Në disa të dhëna që Policia e Kosovës ka dërguar për Portalin Dukagjini thuhet se në janar të vitit 2023 kanë ndodhur 5 aksidente fatale dhe në shkurt kanë ndodhur 8, gjithsej, 13 aksidente fatale.
Në janar kanë ndërruar jetë 5 persona dhe në shkurt kanë ndërruar jetë 13, gjithsej, 18 persona të vdekur si pasoj e aksidenteve rrugore.
Derisa në janar kanë ndodhur 621 aksidente me lëndime, në shkurt kanë ndodhur 427 të tilla, gjithsej, 1 mijë e 48 aksidente me lëndime.
Nga këto aksidente, në janar janë 1 mijë e 219 persona të lënduar dhe në shkurt janë 791, gjithsej, 2 mijë e 10 persona të lënduar.
Gjatë janar-shkurtit 2023 kanë ndodhur 1 mijë e 668 aksidente me dëme materiale; në janar 923 dhe në shkurt 745 sosh.
Vlen të përmendet që gjatë dymujorit të parë të vitit Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 97 mijë e 76 gjoba.
Rreth këtyre aksidenteve të komunikacionit për Portalin Dukagjini ka dhënë më shumë detaje profesori dhe eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se janë shumë arsye pse ndodhin aksidentet në trafikun rrugor.
‘Natyrisht me kalimin e viteve janë shtuar edhe arsyet e aksidenteve në rrugë. Por ne duhet të pajtohemi se arsyeja kryesore për aksidentet në trafikun rrugor janë lëshimet e faktorit njeri. Mbi bazën e hulumtimeve të deritashme në këtë fushë, del se faktori njeri është shkaktari kryesor dhe më dominant i aksidenteve në trafikun rrugor”, ka thënë Muhamed Krasniqi.
Ndërsa, sipas tij, faktori “mjet” dhe “rrugë” merr pjesë më pak numerikisht në shkaktimin e aksidenteve rrugore dhe se pas këtyre tre shkaktarëve, pastaj mund të renditen edhe kontribuuesit e tjerë të këtyre aksidenteve.
Ndërkohë për problematikat e zakonshme që qytetarët përballen në trafik, Krasniqi ka theksuar se ata vazhdueshëm përballen me pasiguri të lëvizjes në rrugë.
“Mungesa e përgjegjësisë individuale e secilit pjesëmarrës në trafik dhe mungesa e respektimit të rregullave dhe shenjave të trafikut janë problemet kryesore në qarkullimin rrugor”, ka theksuar tutje ai.
Profesori dhe eksperti i komunikacionit ka potencuar se mungesa e këtyre dy komponentëve “natyrisht” që manifestohet me sjellje joetike dhe me nivelin jo të kënaqshëm të kulturës në trafik.
“Si pasojë e veprimeve të tilla, mund të ulet edhe siguria e lëvizjes në rrugë dhe mund të përfundojë me ndonjë aksident rrugor”, ka potencuar tutje ai.
Sipas Krasniqit, të gjitha veprimet e kundërta mund të qetësojnë rrjedhën e trafikut dhe të rrisin sigurinë e lëvizjes, duke shtuar se edukimi luan rol jashtëzakonisht të madh në eliminim e këtyre problemeve në trafikun rrugor.
“Edukimi dhe ngritja e kulturës në një nivel tjetër normalisht që nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet në trafikun rrugor, por thjesht janë çelësi i fillimit të zgjidhjes së aktualitetit jo të kënaqshëm në rrugët e vendit tonë sa i përket sigurisë së lëvizjes”, ka përfunduar profesori dhe eksperti i komunikacionit Muhamed Krasniqi.