Presidentja e Kosovës, në dyvjetorin e marrjes së mandatit si e para e shtetit, ka thënë se i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim të saj është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës.
Kështu ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook, ku ka shtuar se vullneti qytetar dhe interesi i Kosovës do të mbeten udhërrëfyes deri në fund të mandatit si presidente.
“Dy vite si Presidente e juaja! Si gjithnjë, i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim timin është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës. Kështu do të jetë deri në fund të mandatit! Faleminderit përjetësisht për besimin”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kujtojmë se me 71 vota për, kuvendi më 4 prill, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku kishin marrë pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.
Në këtë seancë nuk kishin marrë pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.
Osmani, 38-vjeçare, ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Ajo më 3 shkurt të vitit 2020 ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, gruaja e parë që mbajti këtë post.
Ndryshe, që nga 5 nëntori 2020, e deri më 22 mars, Osmani e kishte ushtruar postin e presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.