Në fillim të javës së ardhshme, Kurti vendos nëse do të shkojë në Bruksel

Pasi bëri nderime për të pagjeturit, kryeministri Kurti bëri të ditur se kishte kërkuar që takimi me presidentin Vuçiq të ishte javën që shkoi. Lidhur me takimin, Kurti bëri të ditur se pas propozimit të dy datave, ai do të vendosë pas konsultimeve me ekipin nëse do të takohet me të javën që vjen

Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të japë një përgjigje në fillim të javës së ardhshme nëse do të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka deklaruar se kishte kërkuar që takimi të ishte javën që shkoi, gjersa përmendi dy data të mundshme për takimin e javës që vjen.

“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesën pikësh. Mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë javën e ardhshme, njëherë u tha data 22, pastaj 23, pastaj prapë 22…me siguri që do japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme’, ka deklaruar Kurti.

Ky i fundit ka thënë se ndonëse mbetet i angazhuar në dialog, mungon sekuencimi i plotë i marrëveshjes bazike.

“Kurse në këtë dialog unë jam i angazhuar, por ajo çfarë po mungon është sekuencimi për zbatimin e plotë, pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe aneksit të implementimit, një sekuencim i cili do të ishte i balancuar dhe fer e që praktikisht është krejt ndryshëm prej atij çka na u ofrua më 26 prill. Jemi të përkushtuar, jemi konstruktivë, mirëpo nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë e kuptoj se janë nene të marrëveshjes bazike dhe jam i interesuar t’i përfshij patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mundet të jetë me aso prioriteti dhe përmasa”, ka deklaruar Kurti.

Këto deklarata, Kurti i tha pasi bëri nderime për të pagjeturit. Ai bëri të ditur se presidentit të Serbisë, Vuçiq, i është nisur një letër nga kryetari i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti, në lidhje me hapjen e dokumenteve të klasifikuara për të pagjeturit dhe jo vetëm.

Ai theksoi se nga ta nuk kanë pranuar ende një përgjigje.

“Janë 1617 qytetarë të vendit tonë të cilët na mungojnë dhe për fatin e të cilëve kërkojmë edhe të vërtetën, edhe përgjegjësinë, por edhe drejtësinë. Për këtë dhe duke u bazuar në marrëveshjen që kemi dakorduar në Bruksel në takimin e majit, edhe kryetari i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti, i cili është edhe i biri i Ukshin Hotit, i ka shkruar një letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai të brigadës së motorizuar 37 e cila është përgjegjëse për një mori masakrash e sidomos në rajonin e Drenicës. Pra, ne angazhohemi si institucione dhe kërkojmë përgjegjësi për të pagjeturit tanë të cilët i mungojnë edhe familjes dhe gjithë popullit të shoqërisë sonë”, ka thënë Kurti, gjersa theksoi se  “Nga Serbia nuk kemi asnjë përgjigje për letrën të cilën e ka dërguar Hoti”

I pyetur për tre policët e kidnapuar nga forcat policore serbe, Kurti nuk ka dhënë përgjigje.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Gjithashtu, pak ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat policore serbe. Policia e Kosovës ka publikuar hartat duke treguar se të njëjtit ishin kidnapuar në brendësi të territorit të Kosovës.

Tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika