Shoqata e Bankave të Kosovës organizon mbajtjen e Javës Ndërkombëtare të Parasë për vitin 2022, prej datës 21 deri më datën 27 të këtij muaji.
Kjo ngjarje do të shënohet në tri qytete të Kosovës dhe do të mbahen aktivitete të ndryshme, ku nxënësit e shkollave fillore do të garojnë në lojën “Penny Drop Game”.
Në mbështetje të këtij organizimi, do të shpërndahen pako me materiale edukative për paranë, do të ketë argëtim me maskotat e aktivitetit si dhe arka të kursimit për fëmijët e shkollave fillore në qytetin e Prishtinës, Prizrenit dhe të Mitrovicës.
Java Ndërkombëtare e Parasë në Kosovë është pjesë e një fushate botërore të vetëdijësimit për paranë, si dhe synon të sigurojë edukim dhe përfshirje financiare, në përgjithësi, për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të kenë aftësinë të menaxhojnë më mirë financat personale, si një parakusht për një mirëqenie më të lartë.
Kjo fushatë edukative organizohet në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Edukimit Financiar të OECD-së, që udhëheq koordinimin e përgjithshëm të Javës.
Në kuadër të shënimit të kësaj jave, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se do të mbahet ankandi i tretë i letrave me vlerë, më datën 30 mars të vitit 2022.
Në këtë ankand do të emetohen obligacione me maturitet 5 vjeçar në shumën prej 25 milionë euro.
“Investimi në obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Publik, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (5 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Ministria thotë se për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, duhet të kontaktohet ndonjëra nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë.