Ne jemi parafytyrimi i vetës sonë!

Ilustrim

Relacioni i përjetimit të vetëvetës me të vërtetën edhe gënjeshtrën është preokupim sa i domosdoshëm por edhe sa i vështirë për t’u diferencuar. Kërkesa për ta definuar konceptualisht vetën është ndërmarrje intelektuale që e shtrirë në kohë del të jetë e pamundur për nga ekzistenca dhe vetëdija. Në prezencë të vdekjës është i pamundur vetë-definimi si akt i njohjes së subjektit mbi vetën. Megjithatë, brenga e vetënjohjës nuk do të thotë të mbetet një paradokson që i nënshtrohet një logjike disparate. Përkundër, përpjekja njerëzore për ta definuar vetën është në lëvizje të vazhdueshme me aktivitetet krijuese që arrijnë të shtrihen si vlera përparuese në zgjerimin dhe thellimin e njohjeve partikulare të “veprimit” njerëzor. Pra, definimi duhet të shihet si një akti i pashuar i “pushtimit të territorit në ardhje” me rekonstruktimin, transferimin, çmësimim, e asaj çfarë tashmë është “pushtuar”.

Ajo çfarë e definon njeriun si të veçantë nga speciet tjera është aftësia e tij për të jetuar në lajthitje në parafytyrimin për vetën e tij.

E vërteta banon në gënjeshtër. Përderisa, gënjeshtra është e thënë dhe subjekti e di që është duke u gënjyer është duke jetuar një jetë të vërtetë përbrenda rrëfimit. Por, për ta jetuar një jetë të vërtetë, domosdo duhet të përdorët gënjeshtra si instrument polidimensional i vetë-ruajtjës dhe vetë-lajthitjës. Si formë e përditshme e zbukurimit të cilësive personale përmes komunikimit, si formë artistike që duhet të lë të nënkuptoj diçka, si shprehje e opinioneve ditore që nuk kanë asnjë korespondim me vetë subjektin, si kauza e politike e ideologjike, e fatkeqsisht dhe në rastet më të rënda si pseudoterapi për shërimin e trupit e mendjës. Si moralisht e papranueshme, gënjeshtra ka ndryshuar trajtë edhe është përvidhur me brilancë në metamorfozën e formës së “jetës Senekiane”, pra, ajo nuk është më një dëftim logjik së ciles mund ti vihet prova, gënjeshtra si formë jetese është e paprovuar, ajo është e jetuar dhe e përjetuar. Njeriun nuk mund ta ndaloj asgjë të jetoj në lajthitjen e tij. Deri më sot një gjë është provuar nga historia që, vdekja asnjëherë nuk ka ardhur me epistemomatësin, e as me ndonjë moralometër (sa i përket formës së jetuar individualisht, shkëputur nga paragjykimet kolektive nëpër komente e opinione që janë mekanizma të hapur vetëmbrojtës për gjithsecilin që ndihet psikologjikisht i zhveshur) për ta bërë korigjimin e një jete të jetuar gënjyeshëm, lajthitshëm, gabueshëm. Sokrati thoshte: Një jetë e pashqyrtuar është një jetë e pajetuar.

Sot vlenë: Një jetë e pajetuar është një jetë e pagënjyer. Modalitete të ndryshme shpërfaqën në psikiken e njeriut si psikopatologji në relacion me përjetimin e përgjigjës nga rrëfimi, gjykimi dhe dëftimi i gënjyer. Një analize të tillë mund ta përshkojmë përmes modelit të instancave psikike sipas Sigismund Freud. Harmonia e cila kërkohet të arrihet në mes instancave ES/UNË/MBIUNË për të arritur një jetë të shëndoshë shpirtërore e mendore, sot është pevertuar në një relacion totalisht të disbalancuar në mes ES-it dhe MBIUNI-it, ku UNI- si instancë amortizuese dhe si princip i vërtetë i realitet mungon totalisht. Në njërën anë shfaqën njerëz me dyndje të thella shtazarake dhe mungesë totale të nevojës për përmbushje kulturore e shpirtërore, e në tjerën anë një MBIUNË e cila për detyrë dikur kishte sigurimin e ndjekjës së rregullave shoqërore, nënshtrimin karshi konvencave, bindjës ndaj edukimit prindëror e institucional si garantues të njëmend të një bashkëkzistence ka marrë rolin e një racionalizuesi administrativ që thellë dhe tinëzisht dëshiron të lejoj gjithçka. Rrjedhimisht, racionalizime të dëshirave peverte që kontibuojnë në rrëfimin e gënjyer gjinden në të gjitha shtresat e shoqërisë:

  1. Shkrimtar që pretendojnë se e kanë lexuar gjithë veprimtarinë e Johann Wolfgang von Goethe në moshën 5 vjeçare.
  2. Njerëz të burgosur nëpër institucione të sigurisë që përqafojnë vdekjen për video spektakolare dhe “vazhdimin e jetës” nëpër rrëfimet post-mortum që do të zgjasin ca ditë nga njerëz që mezi presin ta zëvendësojnë rrëfimin.
  3. Udhëheqës popujsh që nënshqetull nxjerrin nekro-dosjet për t’i dhënë vetës edhe pak nekro-jetë në parafytyrimin e një populli që thërret: “Na gënje, na jep jetë”.

Neurozat dhe psikozat nuk mund të trajtohen më vetëm përmes teknikave psikanalitike sepse ato nuk shfaqën më vetëm përmes llapsuzit frojdian, as nuk janë vetëm një grumbull i disa mekanizmave vetëmbrojtës e aq me pak janë të interpretueshme më nëpër ëndrra, sepse, neuroza dhe psikoza janë bërë onto- të vërteta ekzistenciale, janë racionalizuar dhe institucionalizuar dhe pranuar si forma normale përmes të vërtetës së subjektit, kjo e vërtetë e cila banon në gënjeshtër e me të cilën subjekti vazhdon i lirë dhe i qetë të jetoj në parafytyrimin e tij, në lajthitjen e tij, në gabimin e tij, e cila si specia më e veçantë dhe ekskluzive e ka të drejtën e pakontestueshme ta bëj një gjë të tillë.

Të fundit nga rubrika