Më shumë se 30 mijë banorë dhe turistë janë evakuuar nga qyteti i Landiras dhe fshatrat përreth duke përfshirë Balizac, Origne, Villandraut dhe Budos pasi zjarret pyjore kanë përfshirë Francën jugperëndimore.
Qytetet aktualisht janë të zbrazëta dhe jashtëzakonisht të qeta, me vetëm sirenat e kamionëve të zjarrfikësve që nxitojnë atje për raste të urgjencës së situatës.
“Është e dhimbshme, por ne vazhdojmë t’i themi vetes se kjo është shtëpia jonë,” ka thënë Anne Courtabessis, një banore e Landiras e cila po qëndron si vullnetare në një qendër koordinimi të përdorur nga zjarrfikësit për të ngrënë, për të marrë mbështetje mjekësore dhe për të pushuar në mes të inkursioneve në pjesët e ndezura të pyllit.
“Ne jemi të lumtur që jemi në gjendje të ndihmojmë, të jemi të pranishëm dhe të shohim qytetin tonë të bashkuar,” ka thënë Courtabessis.
Gati 20 mijë hektarë pyje janë shkatërruar nga zjarret në Francën jugperëndimore dhe rreth 2 mijë zjarrfikës janë vendosur në rajon.
Por autoritetet kanë thënë se elementet kanë qenë kundër tyre. Ata shpresojnë që pasi temperaturat pritet të zvogëlohen së shpejti në 15 deri 20 gradë Celsius, ata do të jenë në gjendje që të shuajnë flakët masive.
“Si ndihem? Si për të gjithë të tjerët, është stresuese. Por unë besoj se ne të gjithë preferojmë të jemi aktivë sesa të mos jemi në shtëpi,” ka thënë Elisabeth Barbes, një tjetër banore e Landiras që aktualisht është duke ndihmuar në qendrën e ngjarjeve të kthyer në qendër të krizës.
“Ne jemi të lumtur që qëndrojmë në fshatin tonë,” ka shtuar Barbes.
Luftimi i zjarrit me zjarr
Autoritetet kanë adoptuar metoda të ndryshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Në disa zona, ata kanë djegur pjesë të terrenit dhe në të tjera, u është dashur të presin pemë.
“Ne po presim pemë për të shmangur që pylli të digjet më shumë,” është shprehur Joel du Gachard, një ish-zjarrfikës dhe anëtar i një shoqate për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret.
“Kjo krijon një zonë mbrojtëse për të eliminuar “karburantin” dhe për të lejuar zjarrfikësit të depërtojnë më tej,” ka shtuar ai.
Local authorities have resorted to cutting trees to prevent fire from spreading in the southwest of France. pic.twitter.com/J4WQY525zn
— Anelise Borges (@AnneliseBorges) July 19, 2022
“Nëse erërat kthehen, ne mund të kemi më shumë zjarre në drejtime të ndryshme,” ka thënë Gachard.
“Për momentin gjendja nuk është e mirë”.
Por për ata në zonë, agjencia franceze e motit ka lëshuar disa lajme të mira të martën, duke ulur nivelin e alarmit të motit në portokalli nga e kuqja – që do të thotë se temperaturat pritet të bien në të gjithë vendin.
Me rënien e temperaturave, kjo pritet të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e zjarreve të reja.