Në kërkim të drejtësisë në Kosovë

Kanë kaluar 23 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ende nuk është vënë drejtësia nga institucionet përgjegjëse për personat e vrarë e të zhdukur nga regjimi serb

Në Poklek të Vjetër të Drenasit, më 17 prill të vitit 1999, janë vrarë dhe djegur 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, duke filluar nga foshnje gjashtëmuajshe e deri në persona të moshës 75-vjeçare.

Dhoma ku janë masakruar civilët në masakrën e Poklekut

Të vrarët dhe të djegurit ishin të familjes Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha.

Eshtrat e tyre tani prehen në një varrezë të përbashkët në kompleksin përkujtimor në Poklek.

Anëtari i kësaj familjeje, Fadil Muqolli, ka thënë se ndër të vrarët në këtë masakër kanë qenë 23 fëmijë, duke filluar nga foshnja gjashtëmuajshe deri në fëmijë të moshës 14 vjeçare.

Muqolli, tregon se nga familja e tij në këtë masakër kanë mbetur të vrarë 14 anëtarë, dy prindërit e tij, katër motra, bashkëshortja me katër fëmijë dhe bashkëshortja e vëllait me dy fëmijë.

Fotografitë e civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut

“Pasi janë vrarë, ka ardhur regjimi serb dhe i ka djegur”, thotë ndër të tjera Muqolli.

“Të vriten 23 fëmijë, të digjen dhe të tentohen të zhduken eshtrat, është e tmerrshme”, është shprehur ai për Portali D.

Mbetjet nga djegiet e personave në Masakrën e Poklekut

“Asnjë hap nuk e kanë bërë institucionet e drejtësisë, të vijnë dhe të dënojnë këtë gjak që ende pikon”, ka shtuar Muqolli.

Muqolli ka thënë se momenti më i lumtur për të ka qenë konservimi i shtëpisë, sepse vetëm përmes këtyre kujtimeve të tyre, ai tani mbahet në jetë.

Sipas tij, institucionet e drejtësisë janë ende në komë, sepse 23 vjet pas luftës ende nuk është bërë asgjë që të dënohen ata që e kanë kryer këtë krim.

Ndërsa, edhe Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), ka thënë se institucionet e drejtësisë ende nuk kanë bërë ndonjë veprim në këtë drejtim.

Sipas tij, qeveria e tanishme duhet të angazhohet së pari që të dokumentohen krimet dhe të mblidhen prova për proceset gjyqësore dhe të bëhet edhe më shumë në përgatitjen e kallëzimeve penale dhe ngritjen e aktakuzave ndaj kryerësve të këtyre krimeve.

Ndërkaq, në kujtim të personave të vrarë gjatë luftës, Fondi për të Drejtën Humanitare dhe FDHK ka publikuar vëllimin e parë të edicionit të titulluar, “Libër Kujtimi i Kosovës”, që ia dedikon ruajtjes së kujtimit për njerëzit, me emër dhe mbiemër, të cilët janë vrarë për shkak të përkatësisë së vet kombëtare, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë, gra dhe pleq të sëmurë e të pafuqishëm, vëllim ky i cili përfshin viktimat që janë vrarë apo zhdukur gjatë vitit 1998.

Ndërsa, vëllimet të tjera që do publikohen në vazhdim do të përfshijnë viktimat e vitit 1999 dhe 2000.

Në të dhënat e këtij libri, gjatë vitit 1998, tregohet se 1 mijë e 705 shqiptarë ishin të vrarë, të pësuar dhe të zhdukur dhunshëm sipas përkatësisë etnike, ndërsa 280 serbë  dhe 61 të tjetër nga komuniteti romë, ashkalinj, malazezë, boshnjakë, egjiptianë dhe të tjerë.

Ndërsa, prej 1 mijë e 705 shqiptarëve, të vrarë, të pësuar dhe të zhdukur dhunshëm, 1 mijë e 483 ishin meshkuj ndërsa 222 femra.

Ekspozita në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në qendër të Prishtinës, e titulluar “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, përfshin fotografi dhe sende personale si rroba dhe lodra që përkujtojnë fëmijët e vrarë e të zhdukur gjatë dhe pas luftës (1998-2000).

Ekspozita mban peshën e 1 mijë e 133 kujtimeve të fëmijëve të vrarë e të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë.

Pjesë e ekspozitës

Vesa Qena, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit së FDHK-së, ka thënë se ka qenë një ekspozitë e përbashkët e organizuar së bashku me familjarët, të cilët sipas saj, kanë qenë bashkëpunues në organizimin e gjërave të cilat ndoshta edhe kanë qenë të shkatërruara.

Sipas saj, kjo ekspozitë pritet që të shfaqet edhe jashtë vendit, por për shkak të pandemisë është dashur të shtyhet, ndërsa tani do të vazhdohet që të punohet në këtë drejtim.

Si pasojë e luftës (1998-2000) në Kosovë, 1 mijë e  224 fëmijë kanë mbetur të vrarë e 109 fëmijë të zhdukur.

Në hyrje të kësaj ekspozite, qëndrojnë rrobat e varura të këtyre fëmijëve, kujtimet e vetme të mbetura nga ta për familjarët.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë vdekur 13 mijë e 535 persona, ku prej tyre kanë qenë mbi 10 mijë civilë.

Arbëri bashkë me familjen, lëshuan fshatin Obrançë për t’u strehuar në Podujevë te familja Bogujevci. Më 28 mars të vitit 1999, ata nxirren dhunshëm nga shtëpia dhe dërgohen në oborrin e një shtëpie aty afër. Forcat serbe hapin zjarr mbi ta, duke i lënë të vdekur 14 persona. Aty janë vrarë Arbëri me nënën, vëllau i tij Albioni, dhe dy motrat e tij, Mimoza e Dafina, ku së bashku me ta janë vrarë edhe tre fëmijë të familjes Bogujevci.

Atë ditë, Arbëri në xhepin e pantallonave kishte disa kilikera, të cilat ia kishte blerë babai i tij, të cilët pas disa muajsh, i gjeti të shpërndarë në oborrin e asaj shtëpie ku i ishte vrarë djali së bashku pjesën tjetër të familjes.

Kilikerat e Arbërit

Kjo është një ndër rrëfimet e ndjeshme të kësaj ekspozite, kujtimet e të cilëve tani qëndrojnë të dokumentuara.

Kujtime këto, të fëmijëve të cilët nuk arritën të shijonin fëmijërinë e tyre si pasojë e gjenocidit serb.

Libra dhe fletore të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë

Drejtësia në Kosovë

Sa i përket dënimit të personave për krimet e luftës në Kosovë, që nga viti 1999 deri më sot janë dënuar gjithsej 67 persona, nga të gjitha institucionet gjyqësore në Kosovë, Serbi, Hagë dhe Mal të Zi.

Aktualisht, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës janë vetëm katër prokurorë, të cilët janë duke punuar në trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy përkthyes, të cilët do të merren ekskluzivisht vetëm me krimet e luftës.

Ndërsa, Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar për Portali D se është në fazën e fundit të hartimit të Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, mekanizëm i cili do të jetë adresë e dokumentimit dhe arkivimit të këtyre krimeve.

Familjet dhe shoqëria kosovare deri atëherë mbesin me shpresë që fati i mbi 1 mijë e 600 personave të pagjetur të zbardhet, e për të vrarët të vendoset drejtësi.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika